Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka shprehur brengosjen e thellë lidhur me gjendjen aktuale të punonjësve në këtë sektor, duke thënë se ajo është e mjerueshme, ku vetëm në shtatë muajt e fundit në vendin e punës kanë humbur jetën 13 punëtorë duke u munduar që familjes së tyre t’u ofrojnë një kafshore buke për mbijetesë.
“Një kategori e punëtorëve është sakatuar deri në palcë nga shteti i vet, pasi udhëheqësit tanë shtetërorë e shtrydhën si limonin që për vete të krijojnë komoditet personal dhe familjes së tyre. Shkatërruan fuqinë punëtore profesionale duke iu imponuar rrugët e kurbetit. Përderisa nga viti 2011 e gjer më sot këta pagat e tyre i rritën 5 herë, kurse për ata që derdhin djersën edhe në temperature 30 gradë, kanë bekuar pagën 130 dhe 170 euro”, thuhet në komunikatë.
Për më tepër, SPSPK shpreh brengosjen edhe për mungesën e kontratave të punëtorëve në sektorin privat, mungesën e sigurimeve shëndetësore, teksa akuzon institucionet se nuk po zbatojnë ligjin e punës dhe ligjet tjera për të drejtat e punëtorëve, duke mos krijuar as fondin për punëtorët që vdiqën në vende të punës.
“Ju ndani mjete njerëzve të juaj për çështje shëndetësore që janë në listën e njerëzve më të pasur në Kosovë, por jo edhe për ata punëtorë që nuk kanë mjete as për varrimin e tyre. Ju nuk qani kokën se në saje të kësaj gjendje, shumë kompani tani veçse duhet mbyllur në mungesë të fuqisë punëtore. Dhe në fund, tani nuk e di cila rrenë do të pijë ujë para këtyre punëtoreve meqë jemi në prag të zgjedhjeve, sigurisht se ne si sindikatë kemi një opsion për gjendjen që e krijuat”, përfundon komunikata.







