Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë ndarë 20 shtretër të rinj për Spitalin e Gjilanit, të cilët janë vendosur në reparte të ndryshme, duke zëvendësuar të vjetrit, për të ofruar qëndrim më të rehatshëm tek pacientët që kërkojnë trajtim mjekësor.
12 nga shtretërit janë vënë në dispozicion të Pavijonit të Hemodializës, kurse të tjerët në Kujdesin Intesiv të Kirurgjisë e Gjinekologjisë dhe në Repartin e Neurologjisë.
Drejtori i Spitalit, Nisret Hajrullahu, tha se shpërndarja e shtretërve të rinj është bërë në bazë të prioriteteve.
“Kishim nevojë jashtëzakonisht të madhe për një lloj të shtratit të tillë që kemi marrë. Jemi fokusuar që shfrytëzueshmëria të jetë sa më e madhe. Kështu që, kemi vendosur që t’i japim prioritet Repartit të Hemodializës ku çdo ditë vijnë pacientë dhe shfrytëzohet në mënyrë shumë racionale”, pohoi Hajrullahu.
Reparti i Dializës ka 20 shtretër dhe ofron shërbime 24 orë. Aktualisht, në Spitalin e Gjilanit, trajtohen 60 pacientë, ndërsa gjatë verës numri rritet, pasi që aty marrin tretman edhe raste nga diaspora.
/Ballkani.info/







