seancë dëgjimore

Spitalet ushtarake serbe vonojnë gjykimin për krime të luftës në Kosovë

Shtyrja e fundit e një seancë dëgjimore për shkaqet shëndetësore në gjyqin e dy serbëve të akuzuar për një masakër në fshatin Tërnë të Kosovës ngriti shqetësimet se objektet mjekësore të ushtrisë serbe luajnë një rol në vonimin e procedurave të krimeve të luftës.

Pas disa seancave të shtyra në një gjykatë të Beogradit këtë javë, organizata Fondi për të Drejtën Humanitare tha se gjyqi i dy ish-oficerëve serbë për masakrën e marsit 1999 në fshatin tërnë të Kosovës është shembulli më drastik i seancave të vonuara me arsyetim në shëndetin e të pandehurve.

“Sigurisht që një i pandehur mund të sëmuret … Megjithatë, po thuhet se të pandehurit në këtë rast kanë probleme shëndetësore një ose dy ditë përpara seancës dëgjimore, sëmundje të cilat largohen pas shtyrjes së dëgjimit,” tha analisti ligjor i Qendrës për të Drejtën Humanitare, Ivana Zaniq për BIRN.

Të mërkuren, avokati i Rajko Kozlina, njëri nga mbrojtësit e dy të pandehurit për rastin e fshatit Tërnë, i tha gjykatës se klienti i tij nuk mund të jetë i pranishëm pasi që ka probleme shendetësore, por kryetarja e trupit gjykues Mirjana Iliq, e vuri në dyshim raportin për gjendjen e tij shëndetësore që ishte lëshuar nga Akademia Mjekësore Ushtarake në Beograd.

“Nga ky raport unë nuk mund të shoh asgjë tjetër përveç se ka “luhatje të shpeshta të presionit të gjakut”, tha gjykatësja Iliq.

Avokati i Kozlinës, i cili paraqiti raportin mjekësor, tha se ai e dinte se gjendja e klientit të tij ishte përkeqësuar, dhe ai i ishte nënshtruar një ekzaminimi kardiologjik.

Gjykatësja Iliq konfirmoi se Akademia Ushtarake ka rekomanduar se Kozlina mund të jetë i nënshtruar një ekzaminimi të tillë por që “nuk shoh arsye” pse ekzaminimi është bërë në ditën e caktuar të seancës dëgjimore.

Megjithatë, Iliq e shtyu seancën dëgjimore deri më 29 nëntor për shkak të shëndetit të Kozlinës.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësim se Akademia Ushtarake dhe objekte të tjera mjekësore të ushtrisë serbe kanë ndihmuar për të penguar qëllimisht gjykimet e krimeve të luftës.

“Dorëzimi i të dhënave mjekësore, të marra nga struktura e akademisë ushtarake të shendetësisë në një gjyq në të cilin të pandehurit që janë pjesë e ushtrisë jugosllave, të jep përshtypjen për një taktikë vetëm për të penguar procedurat penale”, tha Zaniq.

Prej shtatë seancave dëgjimore në rastin e Tërnë në vitin 2017, gjashtë janë shtyrë, pesë herë për shkak të problemeve shendetësore nga i pandehuri tjetër, Pavle Gavriloviq.

Në një rast, sipas një raporti të Fondit për të Drejtën Humanitare, një diagnozë mjekësore nga një spital ushtarak në qytetin jugor serb të Nishit u dërgua në gjykatë në latinisht.

Gavriloviq ishte komandant i një njësie në Brigadën 549 të Ushtrisë Jugosllave, i akuzuar për urdhërimin e sulmit në Tërnë duke urdhëruar që “mos të ketë të mbijetuar”.

Në sulmet e marsit të vitit 1999, të paktën 31 shqiptarë civilë janë vrarë, duke përfshirë edhe një 4 vjeçar, thuhet në aktakuzë.

Fondi për të Drejtën Humanitare në shtator të vitit 2017 akuzoi Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd dhe Spitalin e ushtrisë në Nish se ka penguar qëllimisht gjyqet e serbëve të dyshuar për krime lufte.

Por, Akademia Mjekësore Ushtarake i tha BIRN-it se ka trajtuar të gjithë pacientët në përputhje me protokollet dhe praktikën e duhur mjekësore, dhe hodhi poshtë pretendimet. Spitali i Ushtrisë në Nish nuk pranoi që të japë një koment për BIRN.

Në vitin 2018, seancat dëgjimore në gjyqin për vrasjet në Tërnë ishin më të shpeshta, me disa dëshmitarë të mbrojtjes duke marrë qëndrim, si dhe një ish-ushtar serb i cili dëshmoi për prokurorinë dhe një shqiptar i mbijetuar i masakrës.

Përveç seancës dëgjimore të së hënës, një tjetër është shtyrë në korrik, shkaku se Gavriloviq u shtrua në Spitalin Ushtarak në Nish.

Ky nuk është gjykimi i vetëm që Fondi për të Drejtën Humanitare dyshon se është vonuar me ndihmën e institucioneve mjekësore.

“Situata është e njëjtë në rastin për konfirmimin e vendimit të gjykatës boshnjake kundër Novak Gjukiq (ish gjeneralit serb boshnjak),” tha Zaniq.

Gjukiq u dënua me 20 vjet burg për urdhërimin e një masakre në kohën e luftës në qytetin e Tuzllës nga gjykata shtetërore e Bosnjës në qershor 2014, por nuk u shkoi për ta vuajtur dënimin në Bosnje, duke pretenduar se ishte duke u trajtuar në Serbi.

Bosnja lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për të, në tetor të 2014, por Serbia filloi një gjyq në vend, pasi që të dy vendet nuk kanë një marrëveshje mbi ekstradimet.

Sidoqoftë, dëgjimet e Gjukiqit shpesh janë vonuar për shkaqe shëndetësore, të cilat Fondi për të Drejtën Humanitare pohoi se paraqet një “pengesë të paramenduar nga ana e mbrojtjes, me bashkëpunimin e objekteve shendetësore të ushtrisë”./BIRN