‘Specialja me kosto të madhe për Kosovën, në fund të muajit priten aktakuzat e para’

Janë mbi 250 persona të cilët janë ftuar nga Gjykata Speciale deri më tani në cilësi të ndryshme për intervistim. Derisa këto ftesa janë shpeshtuar ditëve të fundit, thuhet se deri në fund të muajit do të rezultojë me ngritjen e aktakuzave të para.

Ata që në të ardhmen do të përballen me aktakuza dhe procese gjyqësore, do të ndihmohen nga buxheti i shtetit, mirëpo po konsiderohet se ‘Specialja’, do të ketë kosto të madhe për Kosovën, dhe se fondi në vlerë prej 1,5 milion euro, i cili parasheh mbrojtjen e të akuzuarave, nuk do të mjaftojë.

Kryetari i OVL-UCK-së, Hysni Gucati thotë për KosovaPress, se në bazë të informatave që ka organizata, shumë shpejt do të ndodhin edhe arrestimet e para.Krahas kësaj, Gucati thekson se nuk dihet edhe sa persona do të marrin ftesë nga Specialja, megjithatë, ani pse nuk ka përmendur emra, ai thotë se ditëve të fundit u janë marrë pasaportat disa personave.

Marrë parasysh numrin e madh të ftesave nga Specialja, Kosova pritet të shpenzojë buxhet të madh për mbrojtjen e të ftuarve. Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për KosovaPress, se është e paqartë se ata që po intervistohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, janë në cilësinë e të dyshuarve apo të dëshmitarit. Megjithatë, thekson se fondi i cili është paraparë për mbrojtjen e tyre do të jetë i pamjaftuar.

Krahas kësaj, Hoxha thotë se Ministria e Drejtësisë duhet të riqartësojë se kur duhet të shfrytëzohet ky fond.

Kryetari i OVL-UCK-së thotë se nuk do të mjaftojë fondi 1,5 milionësh, derisa potencon se ky buxhet i ndarë ka filluar të shfrytëzohet, ani pse ende nuk ka aktakuza.   Sipas tij, kjo do të jetë një kosto e madhe për shtetin e Kosovës, derisa nuk dihet ende se edhe sa do të ftojë Specialja për intervistim.

Gucati derisa ka folur për fondin i cili është i ndarë për mbrojtje juridike për të ftuarit nga Specialja, tregon se ka pasur veteranë të cilët janë në cilësinë e të dyshuarit dhe nuk kanë pranuar të kenë avokatë, për arsye se e quajnë vetën të pafajshëm, por edhe për të ruajtur buxhetin e Kosovës.Për këtë kishte reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ku kërkohej që të rritet buxheti për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja.

Nga Zyra për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të akuzuarit potencial nga Specialja, ishin ftuar dy emra, Rilind Berisha e Driton Lajçi, që bashkë me ministrin në detyrë të Drejtësisë, Abelard Tahiri gjatë kësaj jave marrë në pyetje për rrjedhjen e informacioneve.

KosovaPress ka provuar të kontaktojë me Berishen e Lajçin, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, me 3 gusht të vitit 2015.

Në bazë të këtij ligji të gjithë personat e akuzuar e kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes.Ndryshe, në muajin e fundit janë intensifikuar ftesat nga Gjykata Speciale, ku ftesë ka marrë njëri ndër themeluesit e UÇK-së, njëherësh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ish anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, Rexhep Selimi, dhe ministri në detyrë Drejtësisë, Abelard Tahiri.