Specialja: Kosova nuk mund të garantojë për mbrojtjen në liri të Thaçit dhe të tjerëve

Sipas Speciales, asnjë shtet nuk mund të garantojë lirimin me kusht, nëse nuk ka kërkesë nga të paraburgosurit.

Janë bërë 6 muaj, që kur ata qëndojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Dhe lirimi me kusht i ish-krerëve të UÇK-së, duket larg.

Shtetet si Kroacia, Austria, Sllovenia, madje edhe Izraeli u përmendën si vende që mund të ofrojnë garanci për lirimin e tyre me kusht.

Por nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë mohuar për T7 se vetë shtetet mund të ofrojnë garanci, përveç nëse u kërkohet nga të paraburgosurit.

Megjithatë, jo domosdoshmërisht nëse një shtet jep garanci për mbrojtje në liri, të akuzuarit do të lirohen.

Me t’u konfirmuar se një shtet i tretë mund të ofrojë garanci për Thaçin e të tjerët që ndodhen në Hagë, gishti u drejtua nga institucionet e Kosovës për të nisur procedurat.

Megjithatë, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.

Këtë e konfirmon Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke shtuar se ka dallime mes shtetit kosovar e shteteve të treta.

Kjo zyrë gjithashtu tregon se, nuk ka një përkufizim se cilat shtetet mund të jenë të treta.

Se nuk ka një sqarim për shtetet e treta, mund të shihet edhe në Rregulloren e Procedurës dhe Provave.

Megjithatë njohësit e çështjeve të drejtësisë, i japin një shpjegim termit të shteteve të treta.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka treguar nëse këtu, mund të hyjnë shtetet e rajonit.

Hashim Thaçi e të tjerët,  po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit të kaluar. Ata po hetohen për krimet e pretenduara, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Dhoma e Gjykatës së Apelit la në fuqi vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, me të cilin vendim të akuzuarve u vazhdohet paraburgimi. Sipas Ligjit dhe Rregullave, një i paraburgosur mund të aplikojë përsëri për lirim të përkohshëm.

Për më tepër, ndalimi do të rishikohet çdo dy muaj. Një Trup Gjykues mund të konsiderojë lirimin e përkohshëm të një të akuzuari, nën kushte ose garanci të caktuara.

Garancitë e tilla mund të sigurohen nga një Shtet i Tretë me kërkesë të një të paraburgosuri dhe pas një marrëveshjeje për ndonjë kusht të tillë të vendosur nga Trupi Gjykues, duke përfshirë nëse Shteti i Tretë pranon që i akuzuari të jetë në territorin e tij dhe nëse ai shtet është i aftë ose i gatshëm për t’u ngarkuar me kushtet e përcaktuara nga Trupi Gjykues. Prandaj shtetet nuk “ofrojnë” asnjë garanci të tillë vetë, përveç nëse u kërkohet.

Siç u vu në dukje nga trupi gjykues i Apelit, i cili mbështeti vendimin e gjyqtarqve të procedurës paraprake mbi vazhdimin e ndalimit, një “garanci” nuk do të thotë automatikisht që një i akuzuar të lirohet.

Është vetëm një faktor, që mund të merret parasysh gjatë marrjes së vendimit për lirimin e përkohshëm.

Rregullat e Procedurës dhe Provave bëjnë dallimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Treta. Një përkufizim i Shteteve të Treta nuk parashikohet në Rregullore.