Një varg kufizimesh nga Gjykata Speciale në Hagë, i janë vendosur ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, i akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Kuçi, i cili u deklarua i pafajshëm akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës në një rast ku të akuzuar janë edhe Hashim Thaçi, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj.
“ZPS kërkon që përveç kushteve të vendosura ndaj z. Kuçi, gjyqtari i procedurës paraprake t’i vendos kushtin e mëtutjeshëm që të përmbahet nga çdo kontakt, në çfarëdo mënyre, me: (i) të bashkëakuzuarit e tij; (ii) të gjitha të tjerë të përmendur në aktakuzën e konfirmuar, përkatësisht Fahri Fazliu, Blerim Shala, Artan Behrami dhe Vllaznim Kryeziu (“Mr F. Fazliu”, “Mr Shala”, “Mr Behrami”, dhe “Z. Kryeziu”) (“Individë me emër”); dhe (iii) [RIDAKTUAR]11 [RIDAKTUAR] (gjithsej “Personat e ndaluar”) (“Kushti i mëtejshëm”). Sipas ZPS-së, ky kushtëzim shtesë është i nevojshëm për të ruajtur integritetin e procesit, duke shmangur paqartësi eventuale që mund dalin nga kushtëzimet e vendosura ndaj z. Kuçi”,
Dy emra, me të cilët Kuçi s’ka të drejtë kontakti janë të redaktuar, derisa mosrespektimi i vendimit dhe kushteve të vendosura, mund të çojë në arrestimin dhe ndalimin e tij.
“Po ashtu, sa i përket [REDAKTUAR], Gjyqtari i procedurës paraprak konsideron se, edhe pse ata nuk akuzohen dhe/ose nuk janë të emëruar në Aktakuzën e Konfirmuar, ata: (i) vizituan së bashku Z. Thaçi më [REDAKTUAR], ku diskutuan mbi dëshmitë e dëshmitarëve të Dhomave të Specializuara; dhe (ii) ishin objekt i diskutimeve midis Z. Thaçi dhe Z. Kuçi. Për rrjedhojë, Gjyqtari i procedurës paraprake është i bindur që ndalimi i çdo kontakti të drejtpërdrejtë ose të tërthortë midis Z. Kuçi dhe [REDAKTUAR] është i nevojshëm.”
Hajredin Kuçi është i vetmi i akuzuar që Gjykata Speciale e ka lënë në liri, meqë të tjerët janë nën masën e paraburgimit.
“Gjithsesi është një vendim i cili besoj që nuk ka peshë të madhe për jetën dhe veprën e Hajredin Kuçit në këtë rast është vendim që ja kufizon të komunikojë me disa persona dhe për dallim nga bashkë të akuzuarit tjerë ky vendim ndaj Hajredin Kucit është më i lehtë sepse ai mbrohet në liri dhe në paraqitjen në bazë të kërkesës..”, ka deklaruar Astrit Kolaj – Hulumtues, IKD.
Pos për krime lufte, Gjykata Speciale ka konfirmua aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit. Për veprat penale që lidhen me pengim të drejtësisë e ndikim në dëshmitarë, përfshihen edhe Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu.
Përveç Thaçit, i cili që nga viti 2020 është në paraburgim Kilaj, Fazliu e Smakaj, janë arrestuar e janë dërguar në paraburgim, vitin e kaluar.







