Spanja kërkon nga Volkswagen të paguajë 16.3 milionë euro për “emetimet e rreme të naftës”

Një gjykatë e Madridit ka vendosur se prodhuesi gjerman i makinave “Volswagen” duhet të paguajë 16.3 milionë euro (19.8 milionë dollarë) për njerëzit që u mashtruan nga pretendimet e rreme të kompanisë në lidhje me emetimet e naftës, raporton AA-ja.

Në vitin 2015 u zbulua se “Volswagen”-i qëllimisht programonte motorë me naftë në mënyrë që makinat të kalonin testet e emetimeve. Megjithatë, në përdorim të rregullt makinat emetojnë deri në 40 herë më shumë ndotës.

Pesë vjet më parë, Organizata Spanjolle e Konsumatorëve (OCU) filloi betejën ligjore me kompaninë “Volswagen” me shpresën për të marrë kompensim për pronarët e makinave të prekura nga emetimet e naftës, shkruan IndeksOnline.

Gjykatësi tha se kompania “Volswagen” mori pjesë në sjellje antikonkurruese të biznesit. OCU-ja e përshëndeti vendimin edhe pse kompania gjermane ende ka të drejtë ta apelojë vendimin.

Nëse mbetet vendimi, konsumatorët spanjollë të makinave me naftë duhet të marrin nga 3 mijë euro, si edhe riparime falas të softuerit ose harduerit të makinave të tyre.

“‘Volswageni’ në vazhdimësi ka refuzuar kërkimin për një zgjidhje për konsumatorët e prekur në Spanjë, siç bëri kompania në vende të tjera si në Gjermani”, tha OCU-ja në një njoftim.

Në të gjithë botën, “Volswagen”-i ka zgjidhur raste, ka humbur në gjykata dhe është përballur me gjoba të mëdha për skandalin e emetimeve. Në muajin qershor, “Bloomberg”-u raportoi se kompania duhet të paguajë mbi 33 miliardë dollarë gjoba.