Spanja heq maskat në ambientet e jashtme nga java e ardhshme

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka njoftuar të premten se qeveria e tij do ta shfuqizojë detyrimin për bartjen e maskave mbrojtëse kundër COVID-19 në ambiente të jashtme, duke nisur nga java e ardhshme.

Ai ka bërë të ditur se masa do të miratohet në një takim të posaçëm të kabinetit, më 26 qershor.

Disa autoritete rajonale kanë nxitur qeverinë gjatë javëve të fundit që ta shfuqizojë bartjen e maskave jashtë, si rrjedhojë e ngritjes së temperaturave dhe rënies së theksueshme të numrit të rasteve pozitive me koronavirus.

Deri të premten, Spanja ka raportuar për më shumë se 3.75 milionë të infektuar dhe mbi 80 mijë të vdekur si pasojë e COVID-19.