Federata e Spanjës

Spanja e konsideron “hap gjigant” fitoren ndaj Kosovës

Federata e Futbollit të Spanjës (RFEF) e ka konsideruar si “hap gjigant” drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian fitoren ndaj Kosovës U19 të shtunën.

Spanja U19 mposhti 2:1 Kosovën. Por kualifikimi mbetet i hapur për ndeshjet vendimtare që zhvillohen të martën.

Në raportin e ndeshjes që RFEF-i e ka postuar në faqen zyrtare, fitorja ndaj Kosovës përshkruhet si “hap gjigant drejt Kampionatit Evropian”.

Kosova U19 pavarësisht disfatës nga spanjollët, ka ende gjasa për kualifikim tutje.

Kosova në ndeshjen e parë ditë më parë fitoi ndaj Austrisë me rezultatin 1:0, kurse Spanja barazoi me Slloveninë, 1:1.

Po të shtunën, Austria mposhti Slloveninë nikoqire me rezultatin 2:0.

Me këto rezultate, Spanja U19 i prin Grupit 1 me katër pikë. Kosova e drejtuar nga selektori Adil Maliqi ka tri pikë në vendin e dytë, aq sa ka edhe Austria në pozitën e tretë.

Sllovenia mbetet e fundit në grup me një pikë.

Më 26 mars, Kosova e luan ndeshjen e fundit kundër Sllovenisë, derisa Spanja ballafaqohet me Austrinë. Rezultati nga ndeshjet direkte përcaktojnë renditjen në tabelë.