Spahn optimist se vaksina ndaj COVID-19 do të gjendet gjatë vitit të ardhshëm

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka bërë të ditur se pret që një vaksinë kundër COVID-19 do të zhvillohet në muajt në vijim apo më së voni deri në vitin e ardhshëm.

Një deklaratë të tillë ai e bëri pasi agjencia publike e shëndetit e publikoi dhe më pas e tërhoqi një raport në të cilin sugjerohej se kura mund të jetë e gatshme deri në vjeshtë.

Instituti Robert Koch njoftoi më pas se dokumenti nuk ishte i azhurnuar dhe se ishte publikuar gabimisht.

Spahn megjithëkëtë refuzoi ta përmendë një datë specifike për vaksinën.

Rusia gjatë javës u bë vendi i parë që ia dha miratimin një vaksine kundër koronavirusit, ani pse ajo nuk ka kaluar nëpër faza të mjaftueshme të testimit. Pavarësisht dyshimeve për sigurinë dhe efikasitetin e saj, Rusia ka bërë të ditur se së shpejti do ta bëjë të qasshëm në treg vaksinën e saj.