Nexhmedin Spahiu

Spahiu: Spanja ka qenë e detyruar t’i njoh pasaportat pas liberalizimit të vizave nga BE

Njohësi i politikës në Kosovë, Nexhmedin Spahiu, tha se Spanja ka qenë detyruar t’i njoh pasaportat e Kosovës në momentin që Bashkimi Evropian i ka liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës, raporton teve1.info

Në emisionin debatues “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Spahiu tha se njohja e pasaportës së Kosovës nga Spanja nuk do të thotë njohje e shtetit.

“Spanja ka qenë e detyruar t’i njoh pasaportat kur BE i ka liberalizuar vizat. Dhe e ka potencuar që kjo nuk është njohje, pra njohja e pasaportave të Kosovës nuk është njohje e shtetit, as nuk është njohje e zyrave ndërlidhëse gjë që nuk vlen për hapje të misioneve permanente që pritet të ndodh”, u shpreh ai.

Ndërsa, sa i përket meritave për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Spahiu tha se popullit të Kosovës, përfshirë edhe politikanëve u mungon patriotizmi, pa çka tha se nuk mund të bëhet as shteti.

“Por po ndërlidhem me atë se kur do të ndryshoj kjo qasje, do të ndryshoj në momentin kur ka më tepër patriotizëm, sepse shteti nuk bëhet pa patriotizëm. Patriotizmi nuk i mungon vetëm qeverisë por i mungon shoqërisë tonë patriotizmi. Ti mund ta kesh një vagon miell por nuk e ke tharmin e bukës për ta bërë asnjë kulaç, asnjë bukë, e tharmi për ta bërë shtetin është patriotizmi. Ti e bënë ligjin, kushtetutën por çka nëse askush nuk e respekton atë. Ti duhet të kesh një masë kritike njerëzish të cilët e kanë atë kushtetutë dhe ato ligje dhe atë shtet e kanë përzemërt. Dhe në momentin që e ke një masë kritike, luftojnë për shtetin me gjithë zemër, ai 40 për qindëshi pastaj i bindet ligjeve, nëse nuk i bindet ligjeve, dënohet, shkon në burg. Ndodhin shumës shkelje të ligjeve që ndodhin këtu, nuk reagon prokurori, nuk reagojnë gjykatat, nuk reagojnë mediet, çka është kjo? Kjo është mungesë e patriotizmit. Prandaj ndodh që pushtetin me e pa jo si shërbim por si privilegj”, tha Spahiu.