Ferizaj

Sot tubim para Gjykatës në Ferizaj, kërkohet drejtësi për Marigonën

Sot pritet të mbahet seanca përfundimtare ku do të shpallet aktgjykimi ndaj dy Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit.

Përmes një komunikate për media, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar tubim para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku do të kërkohet drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për dy të akuzuarit.

“Këtë të premte mbahet seanca përfundimtare ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit. Për t’u siguruar që kërkesa jonë për drejtësi të jehojë edhe të premtën para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ne mblidhemi nga ora 10:30 para dyerve të Gjykatës për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit”, thuhet në komunikatë.

Nisja nga Prishtina bëhet në mënyrë të organizuar në orën 09:30 nga pompa e benzinës te rrethi i flamurit dhe sipas njoftimit të gjithë ata që dëshirojnë të bashkëngjiten mund të kontaktojnë organizatën.

Sipas aktakuzës, më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e Krivaqa e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ai ishte në bashkësi jashtëmartesore.