Sot takohen Zemaj e Ahmeti, a do të izolohet sërish Prishtina?

Derisa numri i të infektuarve po rritet në Kosovë, kryeqyteti mbetet vendi më i prekur.

Vetëm në 24 orët e fundit u konfirmuan 205 raste të reja me COVID-19, ndërsa në Prishtinë u konfirmua më shumë se gjysma e numrit të shënuar në gjithë Kosovën.

Sipas IKSHPK-së, në Prishtinë janë shënuar gjithsej 111 raste të reja me COVID-19.

Duke parë se rastet po rriten, veçanërisht në Prishtinë, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar se në bazë të rritjes së rasteve pozitive me COVID-19, pas shtatë apo dhjetë ditësh, në Kosovë do të ketë krizë.

Kurse, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë se mbyllja e kufijve dhe kufizimi i lëvizjes në zonat më të prekura me COVID-19 janë dy nga masat të cilat janë duke u shqyrtuar.

Ahmeti dhe Zemaj do të takohen sot nga ora 11:00 ku do të flasin për gjendjen aktuale me coronavirus, veçanërisht në kryeqytet.

Ata do të deklarohen për media pas takimit, ku do të mësohet nëse do të marrin ndonjë vendim sa i përket kufizimit të lëvizjes.