Sot takimi Kurti-Vuçiq, kjo është agjenda

Kryeministri Albin Kurti sot për herë të parë do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i së martës është i pari ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti. Ky i fundit thotë se udhëton për në Bruksel, jo për ta vazhduar dialogun, por për të folur për të ardhmen e dialogut, ndërsa, Vuçiq nga ana tjetër insiston se në Bruksel do të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, gjë që Prishtina zyrtare e hedh poshtë.

Agjenda:

Në orën 08:20 është planifikuar arritja e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell.

Pastaj, në orën 10:30, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Joseph Borrell, do të ketë takime bilaterale të ndara, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kurse, një tryezë e përbashkët plenare është planifikuar për orën 11:00.

Në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.