Sot rifillon dialogu Kosovë-Serbi: Hoti përballet virtualisht me Vuçiq’in

 Sot në ora 10:00, do të rifilloj dialogu Kosovë-Serbi, që zhvillohet përmes një videokonference të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE’së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), ka bërë të ditur se sot në orën 10:00 do të rifilloj dialogu në mes të Beogradit dhe Prishtinës i lehtësuar nga Bashkimi Europian.

“Ky takim do të mbahet në formën e videokonferencës. Do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë të dialogut që nga viti 2018 dhe do të pasohet nga një takim personal i nivelit të lartë në Bruksel të enjten, më 16 korrik”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Diskutimi i nivelit të lartë të dielën do të udhëhiqet në Brukseli nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE’së për Dialogun dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, do t’i bashkohen videokonferencës nga distanca, njëri nga Prishtina e tjetri nga Beogradi.

Dialogu është planifikuar të fillojë në orën 10:00. Mbulimi i fotos dhe videos do të sigurohet nga EEAS dhe do të transmetohet në Këshillin e BE dhe kanalet EbS.

Përfaqësuesi i Lartë, Borrell, do të bëjë një deklaratë të shkurtër për shtyp para fillimit të videokonferencës, ndërsa Emisari Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajčák, do të përmbledhë diskutimet në një deklaratë video në fund të takimit. Këto deklarata do të transmetohen në kanalet e Këshillit dhe EbS në mes orës 10:00 dhe 15:00 respektivisht.

Më parë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte vendosur të niste më 27 qershor përmes një takimi në Shtëpinë e Bardhë, takim që ishte thirrur nga Richard Grenell, i dërguari i Posaçëm i Presidentit Amerikan Donald Trump.

Takimi u pamundësua për shkak të lëshimit të propozim-aktakuzës nga Prokurori i Dhomave të Specializuar në Hagë ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Ky pritet të paraqitet të hënën për t’u përballur me të.