Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot, në tentativën e pestë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.  Kjo do të jetë seanca e pestë çdo 48 orë, që nga 15 prilli. 

Seanca do të fillojë në orën 10:00, teksa pritet të hedhet në votim propozimi për Kryeparlamentarin. VV ka thënë se do të vazhdojë me emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun, teksa PDK, LDK dhe AAK ia kanë bërë të qartë se nuk do të ia votojnë këtë propozim.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje vazhdon të mbetet emri i Albulena Haxhiut. Në dy votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.

Në seancën e së hënës, propozimi nuk u hodh fare në votim.

Nënkryetari i VV’së, Glauk Konjufca, kërkoi kohë shtesë dhe marrëveshje me partitë e tjera politike për këtë çështje.

Pas ndërprerjes së seancës, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë një kandidat tjetër, pasi që sipas tij Albulena Haxhiu do të dështojë kurdoherë që del në votim.

“LVV duhet ta gjejë një kandidat tjetër sepse kandidatja që ka dështuar do të dështojë përsëri. Nuk duhet ta lënë peng Kuvendin për shkak të tekeve apo problemeve të brendshme.”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi tha se Haxhiu është simbol i dështimeve.