Sot, protestë tjetër në Prishtinë, kjo është arsyeja

Oganizatat Studentore “Studim Kritikë Veprim”, USPE dhe SKOK do të protestojnë sot para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit duke filluar nga ora 11:00.

Arsyeja e kësaj proteste është emërimi i tre personave në Këshillin Drejtues, dy prej të cilëve janë shërbyes të kolegjeve private.

“Nesër prej orës 11:00 duke respektuar rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe duke ruajtur distancën sociale, ftojmë studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të na bashkohen në protestë kundër vendimit të padrejtë të Ministrisë së Arsimit për emërimin e tre personave në Këshillin Drejtues, dy prej të cilëve janë shërbyes të kolegjeve private”, thuhet në njoftim

Nga kjo organizatë thonë se para disa ditësh kanë bërë thirrje që ky vendim të zhbëhet, por sipas tyre sot ministrja ka refuzuar një gjë të tillë.

“MASHT fokus parësor duhet të ketë ngritjen e Universitetit të Prishtinës dhe jo minimin e brendshëm të tij nga influencat e kolegjeve private. Vendimi për emërimin e punonjësve të kolegjeve private në Këshillin Drejtues të UP-së, është cënim i autonomisë së UP-së, është i papranueshëm dhe e vë në rrezik cilësinë e arsimit të lartë në vendin tonë. Për neve si e tillë do të jetë një çështje që do t’i shkojmë deri në fund, siç i kemi shkuar rastit të ish rektorit Ibrahim Gashi, ish prorektores Teuta Pustina dhe rasteve të tjera të profesorëve që janë shkarkuar për arsye të ndryshme”, thuhet tutje në njoftim.