Sot nuk ka mësim në këto qytete të Kosovës

Gjatë ditës së djeshme në shkollat e disa prej komunave të Kosovës nuk është zhvilluar mësimi për shkak të erërave të fuqishme dhe dëmeve që shkaktuan ato, ndërsa sot mesimi nuk do të vazhdojë të mbahet në Kamenicë, Dragash e Istog

Shkollat e Istogut, Klinës, Kamenicës dhe Dragashit sot nuk kanë zhvilluar procesin mësimor për shkak të dëmeve nga moti i lig.

Përveç këtyre qyteteve, mësimi nuk është mbajtur edhe në disa shkolla të Prishtinës, si ‘Mitrush Kuteli’ dhe ‘Tefik Çanga’.

Në Lipjan nuk u punua në shkollat ‘Ibrahim Krasniqi’– Smallushë dhe ‘Rexhep Aklapi’ – Akllap, ndërsa në Mitrovicë nuk punohet në katër shkolla.

Përveç këtyre, në disa shkolla të tjera nëpër vend procesi mësimor u zhvillua me shkurtim të orarit.

Ndërkaq, deri tash dihet se mësimi nuk do të mbahet as nesër në qytetet Kamenicë, Dragash dhe Istog, të tri këto më të goditura nga erërat e fuqishme.

Ndryshe, dy ditëve të kaluara në Kosovë ka pasur stuhi dhe borë të madhe, gjë që ka bërë të shkaktohen dëme materiale në disa pjesë të vendit, por që fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar ose viktima.