Sot nafta kushton 1.74 centë, Qeveria lavdërohet dhe thotë se u lirua 20 centë

Një litër naftë në Kosovë sot kushton hiç më pak se 1.74 centë, derisa benzina po shitet me 1 euro e 63 centë. Por, edhe përkundër këtyre çmimeve të larta, Qeveria thotë se këto dy produkte janë liruar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paralajmëruar caktim të çmimit tavan për artikujt esencialë, pasi tha se po vazhdon abuzimi me çmime.

Ai këtë paralajmërim e ka bërë, duke u krenuar me ata se çfarë kanë arritur lidhur me çmimin e derivateve.

Siç ka thënë “ shefi i kuletës së shtetit”, çmimi tavan për produktet e naftës tashmë po ka efekt.

Madje sipas tij çmimi për derivate është ulur për 30 dhe 20 centë.

“Ju siç e keni pa, një vendim që tashmë është marrë për çmimin tavan të karburanteve tashmë po ka efekt. Krahasuar me periudhën para se të merrej vendimi, çmimi për naftë tash është diku 20 cent më i lirë, çmimi për benzinë është 30 cent më i lirë. Pra, e kemi parë se funksionon një metodë e tillë dhe një gjë e tillë do të mund të replikohej edhe për disa prej produkteve bazë. Pra, që të caktohet një marzhë maksimale e fitimit dhe në bazë të asaj të caktohet një çmim tavan që të parandalohen abuzimet me çmimet e produkteve bazë”.

Por, nafta dhe benzina nuk janë edhe aq lirë siç po thotë Qeveria e Kosovës.

Sipas vendimit të vet Qeverisë,  çmimi maksimal i lejuar për shitjen e naftës për 24 orë është 1 euro e 74 centë, për benzinë 1 euro e 63 centë, derisa për gazin 0.78 centë.

Çmimet vlejnë të njëjtat si ditën e diel edhe sot, duke filluar nga ora 10:00.