Sot merret vendimi për separatistët e Katalonjës, shtohen masat e sigurisë

Gjykata Supreme e Spanjës pritet që të hënën ta marrë vendimin për liderët separatistë katalonas, të akuzuar për rolin e tyre në mbajtjen e referendumit për pavarësi në vitin 2017, i cili ishte shpallur ilegal nga Madridi.

Autoritetet spanjolle kanë angazhuar më shumë forca policore në Katalonjë për shkak të frikës se vendimi i mundshëm për t’i shpallur fajtorë separatistët mund të nxisë protesta masive në rajonin e pasur verilindor.

Në bankën e të akuzuarve janë 12 politikanë dhe aktivistë, të cilët përballen me një varg akuzash, përfshirë rebelimin, nxitjen për kryengritje dhe keqpërdorimin e fondeve publike. Të gjithë i kanë mohuar akuzat, por nëntë prej tyre mund të dënohen me burgim.

Separatistët e tjerë në Katalonjë kanë planifikuar kundërshtim masiv të rendit civil, në rast se bashkëpunëtorët e tyre nuk shpallen të pafajshëm dhe nëse ata nuk lirohen nga paraburgimi.

Disa nga figurat që do të gjykohen të hënën kanë mbajtur pozita të larta në qeverinë dhe kuvendin e Katalonjës, ndërsa të tjerët kanë qenë aktivistë me ndikim dhe mbrojtës të identitetit kulturor.

Tri javë pas mbajtjes së referendumit të ndaluar në vitin 2017, kuvendi i Katalonjës e kishte shpallur këtë rajon si republikë të pavarur, por pavarësia e saj nuk është njohur nga shtetet tjera, shkruan “BBC”.

loading…