Bruksel

Sot mbahet takimi i fazës finale mes Presidentit Thaçi dhe Vuçiq

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot në Bruksel, në kuadër të fazës finale të dialogut të Brukselit, ku do të diskutohet edhe për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, shkruan Ballkani.info.

Agjenda e takimit nuk është bërë ende e ditur, por takimi supozohet se do mbahet në orët e mbrëmjes.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në takimin me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq do të mundohen të konfirmojnë gatishmërinë për intensifikimin e fazës finale të dialogut ndërmjet të dyja shteteve. Kjo është bërë e ditur nga Zyra e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini.

“Në takim dy liderët pritet të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane”, thuhet në këtë njoftim.

Kujtojmë se disa ditë para takimit, tensionet mes palëve ishin ngritur, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, vendim ky që u kundërshtua nga pala serbe.

Presidenti Thaçi, përmes një statusi në Twitter, ka theksuar se takimi me homologun e tij serb, do të jetë i vështirë, por i obligueshëm për arritjen e një marrëveshje. /Ballkani.info/