Sot intervistohen 11 kandidatët për gjykatës të Kushtetueses

Komisioni për shqyrtimin e kandidatëve për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese do t’i intervistojë sot 11 pretendentët që po synojnë këtë pozitë.

Për gjykatës të Kushtetueses kandidojnë Vigan Qorrolli, Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Hilmi Jashari, Valbona Shala-Thaqi, Visar Morina, Haxhi Xhemajli, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi.


Si zhvillohet procedura e zgjedhjes së Gjyqtarit në Gjykatë Kushtetuese?

Sipas nenit 6 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese përcaktohet se duhet të themelohet një Komision i posaçëm, që udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit apo nga përfaqësuesi i tij.
Mëpastaj ky Komision i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar për gjyqtar.

E Komisioni përbëhet nga anëtarë të shumtë ku përfshihet Kuvendi, të gjitha grupet parlamentare të Kuvendet apo deputetë të deleguar të tyre, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete e përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese.

Ligji e ka paraparë edhe mënyrën e votimit.

“Komisioni vendos me shumicën e thjeshtë të votave. Në rast të votimit të barabartë, vota e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës apo përfaqësuesit të tij/saj të deleguar është vendimtare”, thuhet në Ligj.

Komisioni i posaçëm pas intervistimeve me shkrim e me gojë dhe brenda afatit prej pesëmbëdhjetë ditësh, i shqyrton kandidaturat dhe i dërgon Kuvendi listën e ngushtë me arsyetimet për propozimet.