Sot hapet aplikimi për shtesat prej 170 euro, kështu mund të aplikoni

Nga sot do të hapet aplikimi për shtesa për lehonat dhe fëmijët. Mënyrën e aplikimit për këto shtesa, e ka sqaruar dje Ministri Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka shpjeguar mënyrën se si mund të aplikohet për shtesat prej 170 euro për lehonat dhe shtesat prej 10-20 euro për fëmijët.

Apikimi duhet të bëhet në platformën e-Kosova.

Për mbështetje mund të aplikojnë të gjitha lehonat që kanë lindur fëmijën pas datës 1 gusht 2021 dhe që janë të moshës mbi 18-vjeç.

“Lehonat që kanë qenë të papuna në 12 muajt e fundit do të mbështeten me 170 euro në muaj për 6 muaj radhazi, ndërsa lehonat që figurojnë të punësuara në ndonjërin prej muajve në 12 muajt e fundit, do të mbështeten me 170 euro në muaj për 3 muaj radhazi”, ka shkruar Murati.

Ndërkohë, për shtesat për fëmijët mund të aplikojnë të gjitha nënat që kanë lindur fëmijët në vitin 2020 apo 2021.

“Nga 1 janari 2022, aplikimi do të hapet edhe për fëmijët që kanë lindur në vitin 2018 e tutje, dhe njësoj do të zgjerohen grupmoshat e fëmijëve që përfitojnë, çdo 6 muaj, derisa të mbulohen të gjitha moshat nën 16 vjeç. Për fëmijët 0-24 muaj, shtesat do të jenë 20 euro/muaj, kurse nga 24 muaj deri në 16 vjeç, nga 10 euro/muaj”, thuhet në postimin e Muratit.