KiE

Sot, dita historike e Kosovës për në Këshillin e Evropës

Në takimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, këtë të martë rreth orës 16:00 do të zhvillohet debat e më pas edhe votim për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë sesion pranveror, i cili është i një rëndësie historike për Kosovën, do të diskutohet raporti i raportueses së Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve prezentë për kalimin tutje.

Në qoftë se votimi është i suksesshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj të këtij viti.

Asambleja Parlamentare i ka 46 shtete anëtare me gjithsej 302 anëtarë plus 306 zëvendësues. Janë 34 shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet ndërsa 14 që nuk e kanë njohur.

E gazetari i Klan Kosovës, Drin Demiri, mbrëmë ka raportuar nga Strasburgu, atje edhe ku do të mbahet votimi, për të cilin tha se delegacioni kosovar është optimist se i njëjti do të kalojë.

“Delegacioni kosovar kanë pritje që do të kalojë testi i dytë i Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit për Këshillin e Evropës, meqenëse në bazë të asaj që e kam parë sot në teren dhe takimet që kam pasur me delegacionin e vendeve të ndryshme, Kosova i ka votat për anëtarësim, faktikisht për të kaluar testin e dytë, i cili mund të themi se është një gjysmëfinale, para finales së madhe të majit për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Demiri.