Duke filluar nga ora 20:00, sonte do të shfaqet pjesa e dytë e dokumentarit VIRUSSIA, prodhim i RTK, në partneritet edhe me O Kanal nga Bosnja dhe T7.
Pjesa e paër që kishte të bënte me spiunazhin rus në Ballkanin Perëndimor, tashmë ka arritur edhe në Ukrainë.
Pjesa e dytë, që shfaqet sonte si premierë, flet për luftën hibride ruse dhe propagandën e Kremlinit.
Ky projekt i serialit dokumentar ka nxitur që në pjesën e parë reagime nga rusët. Ambasadori rus në Beograd, e pati cilësuar “komplet të pavërtetë” tregimin e dokumentarit Virussia.
Në këtë pjesë, gjithashtu flitet edhe për një shqiptar, bashkëpunëtor i medieve shtetërore ruse. Është siguruar edhe një video ku ai këndon së bashku me serbët këngë nacionaliste serbe në një qytet të Rusisë.
Si rrallë herë, dokumentari ka arritur që t’i përfshijë brenda shqiptarë, serbë, boshnjakë, malazezë e maqedonas. Politikanë, studiues, ish-pjesëtarë të inteligjencës e gazetarë flasin për pothuajse njëzëri për pasojat që ka shkaktuar ndër vite Rusia në rajon dhe më gjerë.
Pjesëmarrës të këtij dokumentari do të jenë: Zheljko Komshiq, kryetar i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës; Zharko Koraq, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë; Vuk Drashkoviq, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë; Peter Stano, zëdhënës i BE-së; Antonio Missiroli, ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s për Siguri; Teija Tiilikainen, drejtoreshë e Hybrid CoE në Finlandë; Johann Schmid, drejtori i Komitetit për Strategji dhe Mbrojtje në Hybrid CoE; Enver Hoxhaj, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës; Agim Musliu, drejtori i SEES në Kosovë; Ilir Kulla, këshilltar i presidentit të Shqipërisë; Darko Trifunoviq, drejtor i Institutit për Sigurinë Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Serbi; Jelena Miliq, drejtoreshë e Qendrës për Studimeve Euro-Atlantike në Serbi; Savo Kentera, president i Këshillit Atlantik të Malit të Zi; Zoran Gavriloviq, drejtor i Zyrës për Kërkime Sociale në Serbi; Branko Çeçen – drejtor i Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Serbi; Eldin Kariq – drejtor i Qendrës për Zhvillimin dhe Analizën e Medieve në Bosnjë e Hercegovinë; Mentor Hoxhaj, ekspert i sigurisë në Kosovë; Robert Van Der Noordaa, gazetar hulumtues në Holandë; Avdo Avdiq, gazetar hulumtues në Bosnje e Hercegovinë; Albert Spahiu, gazetar në Telegrafi.com në Kosovë; dhe Gynen Venhari, drejtor i Geopost në Kosovë.








