Sondazhi i ri: LVV-ja rënie drastike, LDK e PDK me trend rritës

Fuqia e partive politike ka pësuar ndryshime të dukshme një vit pas qeverisjes së kryeministrit Kurti, i cili së bashku me Vjosa Osmanin kishin fituar me mbi 50 për qind në vitin e kaluar.

Në një sondazh që ka parë Ballkani.info, i cili është bërë para disa javësh dhe para skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, Lëvizja Vetëvendosje ka rënie të madhe në rreth 32 për qind.

Përfshirja e ambasadorit Martin Berishaj e ka dëmtuar edhe më shumë këtë subjekt politik dhe rënia mund të jetë edhe më e madhe.

Megjithatë, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje ka pasur rënie drastike, ajo vazhdon të jetë subjekti politik më i madh edhe sipas këtij sondazhi të fundit.

Subjekti i dytë, sipas këtij sondazhi është LDK-ja, e cila ka një epërsi të vogël karshi vendit të tretë, ku aktualisht radhitet PDK-ja.

LDK-ja aktualisht vlerësohet të jetë në rreth 26 për qind, derisa PDK-ja në 24.5 për qind.

Megjithatë, trendi rritës i LDK-së është më i madh, pasi që të zhgënjyerit nga Lëvizja Vetëvendosje duket se më së shumti po i rikthehen tani LDK-së, e cila pësoi më së shumti rënie në zgjedhjet e fundit.

Trendi rritës është më i vogël te PDK-ja, e cila në përpjekje për t’u bërë atraktive për elektoratin urban, duket se po e rrezikon elektoratin e saj në zonat rurale.

Si mundësi e mirë për t’u rritur ky subjekt politik vazhdon të jetë elektorati i Nismës Socialdemokrate.

Ndërkaq, në pozitat ku kanë qenë vazhdojnë të jenë AAK-ja dhe partitë tjera më të vogla, ku specifikisht PSD-ja e Molliqajt e ka një trend të vogël rritës dhe ajo po bëhet gjithnjë e më atraktive për të pakënaqurit e PDK-së me lidershipin e ri.

Ky sondazh është bërë nga një institut i njohur vendor për hulumtime të opinionit dhe lidhur me rezultatet e tij, Ballkani.info ka mësuar se është në dijeni edhe kryeministri Kurti.

Ky i fundit tashmë ka filluar të “peshkojë” në elektoratin e krahut të luftës me vizita te familjarët e heronjve e dëshmorëve, siç ishte rasti edhe sot në përvjetorin e komandantit Ilaz Kodra ku bëri homazhe, por edhe me ndryshimin e retorikës karshi ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Si duket, Kurti po sheh shpëtim vetëm te flirtimi me krahun e luftës për të mos rënë edhe më shumë politikisht. /Ballkani.info/