Sondazhi amerikan: 49 për qind e kosovarëve kundërshtojnë ‘Ballkanin e Hapur’, 32 për qind e përkrahin

Sipas rezultateve të publikuara nga sondazhi për Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 në kuadër të projektit të institutit amerikan “Instituti Republikan Ndërkombëtar” (IRI), qytetarët e Kosovës nuk përkrahin iniciativën e Ballkanit të Hapur.

Ndër pesë vendet ku janë bërë anketime (Bosnje, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e veriut dhe Serbi), në pyetjen: “E mbështesni apo jo iniciativën e Ballkanit të Hapur”, vetëm në Kosovë qytetarët kanë rezerva.

Nga rreth 1,500 respodentët që kanë marrë pjesë në anketë, 16% e mbështesin plotësisht Ballkanin e Hapur, 34% e mbështesin deri diku, 36% aspak nuk e mbështesin, 13% aspak nuk e mbështesin.

Nëntë për qind e qytetarëve të anketuar nuk janë përgjigjur apo nuk kanë pasur opinion për këtë temë.

Mirëpo duke marrë për bazë përkatësinë etnike të respodentëve të deklaruar, të dhënat ndryshojnë.

Vetëm 14% e qytetarëve shqiptarë të Kosovës e mbështesin plotësisht këtë iniciativë, derisa 37% e qytetarëve serb të Kosovës që kanë marrë pjesë në anketë i japin mbështetje të plotë Ballkanit të Hapur.

26% e shqiptarëve dhe 25 e serbëve të Kosovës e mbështesin deri diku Ballkanin e Hapur.

37% e shqiptarëve aspak nuk e mbështesin Open Balkan, derisa 29% e serbëve të Kosovës aspak nuk ofrojnë mbështetje për iniciativën.

13% e shqiptarëve dhe 4% e serbëve të Kosovës disi nuk e mbështesin Ballkanin e Hapur.

Metodologjia e sondazhit

Sondazhi është realizuar në kuadër të qendrës së institutit “Center for Insights in Survey Research” nga Ipsos Stregic Marketing, nga 30 dhjetori e deri me 20 shkurt.

Të dhënat janë mbledhur me metodën e intervistimit të qytetarëve në shtëpitë e tyre.

Po ashtu në sondazh janë përfshirë të gjitha zonat (urbane/rurale) dhe të gjitha grupet etnike.

Në Kosovë janë intervistuar 1520 respodentë dhe margjina e gabimit mund të jetë deri në 2.9 për qind.

Kush është IRI

“Institutit Republikan Ndërkombëtar” është një institut amerikan jo profitabil dhe që është i përkushtuar në avancimin e lirisë dhe demokracisë në botë duke ndihmuar akterët politikë, partitë politike dhe të tjerë të përfshirë në qeverisje që të merren më shumë me çështje substanciale.

Instituti merret edhe me programe për përfshirjen e të rinjve më shumë në politikë dhe ofron ndihmë sidomos për grupe të margjinalizuara në vende të ndryshme.

Instituti ishte formuar në vitin 1982 me iniciativë të presidentit të atëhershëm amerikan Ronald Reagan, derisa deri në vitin 2018 udhëheqës i institutit ishte John McCain. Atë e kishte zëvendësuar senatori amerikan, Dan Sullivan.