Sokol Dobruna: Nuk jam duke kuptuar çfarë është duke bërë Gjykata Speciale

Këtë vikend ish-komandantët e UÇK-së, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa do të nisen për në Hagë, ku edhe do të intervistohen ditën e hënë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Këtë e ka konfirmuar mbrëmë për Ballkani.info avokati i Lushtakut e Mustafës, Arianit Koci, i cili ka thënë se ende nuk e di saktë se cilën ditë do të shkojnë.

Ai ka bërë të ditur se do të udhëtojnë me fluturim të rregullt dhe lajmet se do të shkojnë me një aeroplan special i ka quajtur te rreme.

“Këtë vikend nisemi, tash veç jemi duke shikuar fluturimet. Fluturimi ka me qenë civil, i rregullt. Jemi duke shikuar kah po shkojmë”, ka thënë Koci.

Ndërkaq, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Doburuna i ka thënë KosovaPress-it se nuk do të shkojë në Hagë të hënën, madje ai ka thënë se nuk e di as kur do të shkojë.

“Nuk e di, seriozisht nuk e di çka janë duke bërë, nuk jam duke kuptuar”, tha shkurt ai.

Në anën tjetër, ish-komandanti i UÇK-së, Nazif Mehmeti, sipas avokatit të tij, Tahir Rrecaj pritet të intervistohet në Prishtinë.Rrecaj ka thënë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ftesë që Nazif Mehmeti të shkojë në Hagë.“Besoj që do të intervistohet këtu, fillon më 22, 23 dhe 24 janar, tri ditë radhazi. Nuk ka marrë ftesë me shkua atje”, tha ai.

Gjatë këtyre ditëve është diskutuar se një avion special do të vije dhe do t’i marrë të gjithë ata që janë të ftuar për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Megjithatë, deri më tani kjo gjë është mohuar nga avokati Arianit Koci, i cili ka thënë se janë lajme të rreme.

KosovaPress-it ka kontaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për këtë çështje, ku kanë thënë se tek ta merren leje vetëm për fluturime komerciale e jo për shtetërore.

“Për fluturime shtetërore leja merret në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tek ne fluturimet komerciale”, thuhej në përgjigje.Ndërsa, nga Ministria e Punëve të Brendshme, kanë thënë se nuk kanë pranuar dhe as nuk është nën përgjegjësinë e saj që të lëshojë leja apo të jep licenca për të fluturuar në dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

“Ministria e Punëve të Brendshme bazuar në Ligjin për Aviacionin Civil të Republikës së Kosovës është përgjegjëse për krijimin, mbajtjen dhe mbikëqyrjen e sigurimit të aviacionit civil në Republikën e Kosovë, ndaj akteve të ndërhyrjeve të pa ligjshme në pajtim me legjislacionin që është në fuqi. Në lidhje me pyetjen e juaj, ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Departamenti për Siguri Publike nuk ka pranuar dhe nuk është nën përgjegjësinë e saj, që të lëshojë leje apo jep licenca për të fluturuar në dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, bazuar në ligjin për Aviacionin Civil (NR. 03/L-051)”, thuhej në përgjigje.

Në përgjigje gjithashtu thuhej se për informacione shtesë, t’i drejtohemi Ministrisë së Infrastrukturës.