Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, po vazhdon edhe sot t’i kundërshtojë masat anti-Covid, të marra nga Qeveria. Ahmeti ka shkruar në Facebook se këto janë masa paushall.

I pari i Prishtinës ka thënë se të gjitha shtetet po pësojnë nga koronavirusi, por shumica e tyre kanë kaluar ndihmën për ekonominë në kuvendet e tyre, dhe i kanë balancuar masat.

“Sipas Guvernatorit të BQK, rënia ekonomike sivjet do të jetë -7.2 përqind. Kjo i bjen 30-60 mije vende të punës. (Mund të jem i pasaktë në këtë përkthim). Ndihma ekonomike për bizneset – afër zeros! Masat paushall – afër maksimumit! Krejt shtetet po pësojnë nga covidi dhe shumica e shteteve do të kenë humbje, por po ashtu shumica e shteteve kanë kaluar ndihmën në kuvendet e tyre dhe masat i kanë balancuar”, ka shkruar Ahmeti.

Ai thotë se në Kosovë s’po mund të mblidhen as 30 deputetë për ta votuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Në Kosovë as 30 deputetë s’po munden me u mbledh. Pikë e pesë. Fjalët magjike: Kompromisi, ndihma ekonomike, rrjeti i sigurisë sociale. Fjalët toksike: për inati, bojkoti, arroganca. Rrogat ecin edhe që nuk mbledhen!”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka kundërshtuar masat e Qeverisë qysh prej kur Kryeministri Avdullah Hoti i prezantoi ato.

Në Facebook Ahmeti ka shkruar se është kundër marrjes së masave të tilla përderisa nuk ka ndihmë për të rimëkëmbur ekonominë.