Kuorum

“S’mundemi me iu kthy përgjigje” – Heshtja e pushtetit për “votën e vjedhur” në Kuvend

Një skandal e ka kapluar Kuvendin e Kosovës më 7 mars, ku Qeveria Kurti e solli në seancë Projektligjin për tekste shkollore. Për të kaluar një i tillë, ligji e parasheh të marrin pjesë 61 deputetë. Megjithatë, ashtu siç po aludon deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, duket se në atë ditë, në Kuvend kanë marrë pjesë vetëm 60 deputetë. Kështu, nuk do duhej të kishte kuorum, por një gjë e tillë, proceduralisht u kalua nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, më 9 prill publikoi një video në profilin e tij në Facebook, ku akuzon Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes dhe Qeverinë për “vota të vjedhura në Kuvend”.
Kastrati ka thënë se Projektligji për tekste shkollore është kontrabanduar nga partia kryesore në pushtet duke thënë se në votim nuk kanë marrë pjesë 61 deputetë.

“Miq, ndodhi edhe kjo. VV vjedhi vota në kuvend. Projekt-ligji për tekste shkollore është kontrabanduar nga VV. Në momentin e votimit qartazi shihet se në votim nuk kanë marrë pjesë 61 deputetë. Edhe vet kryetari Glauk Konjufca në seancë hodhi dyshime nëse kishte vota të mjaftueshme për të kaluar ky projektligj. Në këto pamje dallohet qartë se në votim nuk kanë marrë pjesë mbi 60 ligjvënës, por numri i tyre është saktësisht 60 që nënkupton mos plotësimin e kushtit ligjor për t’u konsideruar një votim i rregullt.Pavarësisht kësaj shkelje ligji u konstatua si i votuar”, tha deputeti Kastrati ndër të tjera.

@ballkani.info

Ardian Kastrati del me video: VV vodhi vota në Kuvend, Projektligji për tekste shkollore u kontrabandua

♬ orijinal ses – 𖠄্᭄͜͡𝑺𝑨𝑹İ..𝑩Ü𝑳𝑩Ü𝑳𖠄

Periskopi të enjten ka dërguar pyetje drejt Administratës së Kuvendit, megjithatë deri në publikimin e këtij shkrimi të njëjtit nuk janë përgjigjur, pavarësisht se e konfirmuan se kanë pranuar e-mailin.

Mediumi ka telefonuar edhe nënkryetaren e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, znj. Saranda Bogujevci, ku fillimisht u lajmërua asistentja e saj duke na premtuar se do të kthej përgjigje në lidhje me këtë. Pas disa orësh, e njëjta na tha “po më vjen keq, po nënkryetarja nuk mundet me iu kthy përgjigje”.

Gjatë ditës së sotme, mediumi ka tentuar të flas edhe me shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilën, por e njëjta nuk i është përgjigjur telefonatës.

Teksa, Kryetari i Komisionit për Legjislacion, i cili njëherësh është edhe deputet i LVV-së, Adnan Rrustemi, na tha që t’i dërgojmë pyetje me shkrim. Pasi i dërguam pyetjet, i njëjti deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur.

VIDEO BONUS: