Smrekonica e Vushtrrisë në karantinë, 30 vjeçari i operuar në kokë nuk lejohet të dalë nga fshati

Në komunën e Vushtrrisë janë konfirmuar 17 raste si të konfirmuara me Covid 19. Prej tyre 10 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus vetëm në fshatin Smrekonicë të këtij qyteti. Ky fshat tashmë është izoluar dhe pritet që të bëhen edhe testime të tjera për banorët që gjenden atje.

Në një deklarate në lidhje direkte për Gazetën Express, kryetari i fshatit Smrekonicë në Vushtrri Fidan Bejta ka deklaruar se banorët atje janë në panik si pasojë e përhapjes së virusit. Thotë se po ashtu ka reduktime të energjisë elektrike.

“Situata është në panik në fshatin tonë. Është vështirësua mjaftë shumë jeta e banorëve. Ka shumë mungesa për gjërat elementare.  Numri i të infektuarve në fshatin tonë ka shkuar në 10. 8 u konfirmuan dje. Janë edhe disa persona të tjerë në fshatin tonë që po presin që të testohen. Imami i fshatit nuk ka pas kontakt me popullatën në xhami. Në mesin e të infektuarve ka edhe fëmijë, gjendja shëndetësore e tyre është e mirë. Kemi pas shumë reduktime të energjisë elektrike”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë sipas tij në këto momente një person ka nevojë urgjente që të dal nga fshati ngase është operuar ditë më parë. Ai nuk po lejohet që të dalë nga fshati.

“Mirëpo, banorët tash po kanë ankesa për gjërat e tjera. Terapi spo kanë banorët. Ka persona që janë operuar e që nuk po lejohen që të dalin nga fshati. E kemi një rast një person që ka pas operim edhe duhet urgjentisht me intervenu në atë rast.  Barna mirë po kemi furnzimime”, ka deklaruar Bejta.