Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar qytetarët se Rahoveci është përzgjedhur përfituese nga Iniciativa WiFi4WB, duke mundësuar shtrirjen e internetit publik falas në tri pika kryesore të komunës.
“Është kënaqësi të ndaj me ju lajmin e mirë se shumë shpejt, në bashkëpunim me Telekomin e Kosovës, do të nis implementimi i këtij projekti. Qytetarët do të kenë qasje falas në internet në Sheshin e Qytetit, në Krushë të Madhe dhe në fshatin Ratkoc,” u shpreh Latifi.
Ai theksoi se ky është një përfitim me rëndësi të veçantë për qytetarët e Rahovecit:
“Qasja në internet është bërë tashmë domosdoshmëri për punëtorët e bizneseve, për artistët, për të rinjtë dhe për të gjithë qytetarët. Ky projekt do ta lehtësojë jetën dhe do të krijojë më shumë mundësi për zhvillim.”
Iniciativa WiFi4WB zbatohet në kuadër të Projektit EU4Digital, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Federale e Gjermanisë (GIZ). Latifi u shpreh mirënjohës ndaj partnerëve ndërkombëtarë për përfshirjen e Rahovecit në këtë projekt të rëndësishëm.







