Smajl Latifi, Albin Kurtit: Pse t’u desh ta humbisje betejën me Serbinë, që në hapin e parë?

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Ai i është drejtuar me një postim Kurtit.

“Pse t’u desh ta humbisje betejën me Serbinë, që në hapin e parë? A nuk e dëshmuat tashmë se ecja juaj politike paska qenë vetëm një maskaradë? Ky patriotizmi që ju e shprehnit pa asnjë modesti, 24 orë në ditë, duke nxjerrë zjarr nga goja juaj, a paska qenë fallco? Po mali i akuzave që ju i bënit kundër të tjerëve për kompromise ndaj Serbisë, a i kishit vetëm për të ardhur në pushtet?”, shkruan ai.

Postimi i plotë:

Kryeministër Albin Kurti,

Pse t’u desh ta humbisje betejën me Serbinë, që në hapin e parë?

A nuk e dëshmuat tashmë se ecja juaj politike paska qenë vetëm një maskaradë?

Ky patriotizmi që ju e shprehnit pa asnjë modesti, 24 orë në ditë, duke nxjerrë zjarr nga goja juaj, a paska qenë fallco?

Po mali i akuzave që ju i bënit kundër të tjerëve për kompromise ndaj Serbisë, a i kishit vetëm për të ardhur në pushtet?

Po sot?

A nuk është shqetësim për Kosovën kur një Kryeministër me veprimet e veta shpërfytyrohet si një demagog dhe makiavelist i tmerrshëm?

A duhet të harrohen politikat që Albin Kurti përfaqësoi e i përhapte, duke përdorur mjete e metoda anarkiste e dhunë ndaj objekteve e politikanëve kundërshtarë?

Si mund të justifikohen të vërtetat e Kurtit dhe mashtrimet e tij, gjithë ato spektakle e sensacione, që ua çanin veshët popullit, ato skena që i shihnim duke u konfrontuar me të gjithë?

Pse duhet të besojmë se kur nuk ka as konsistencë reale, as respektim të parimeve, as mbajtje të premtimeve, do ta kemi më të lehtë rrugëtimin sfidues që shteti ynë ka para vetes? Pse Kurti bën veprime kontraverse me njëra-tjetrën dhe përsëri këmbëngul se ka “të drejtë”?

Ju më shumë jeni kujdesur që të flisni mirë, të luani me fjalë e të dukeni se jeni i vërtetë, por nuk është ashtu.

Taksën 100%, të cilën Serbia e pati dënim nga Kosova po ia heq pa na njohur!

Po e heq, ngase the se je duke pritur reflektimet e Serbisë dhe zotimet e saj.

Tingëllon bukur ky margaritar i yti. Po pret reflektim nga shteti që na vrau, na dogji, na zhduki eshtrat e atyre burrave, grave e fëmijëve.

Sado që tingëllojnë mirë deklaratat e Kurtit, i cili bashkë me kontigjentin e kameleonëve politik po kujdesen që ta maskojnë mashtrimin përmes promovimit të një patriotizmi të rrejshëm, mos u çuditni se anijen që ai po e drejton po e fut në ujëra të turbullta, e nëse nuk ja ndërrojmë kursin, kushedi se ku mund të ankorohet ajo.

Kujdes!