Sllovenia bllokon hyrjen e Kroacisë në Shengen

Zëvendëskryeministrja e qeverisë sllovene, Tanja Fajon është pro hyrjes sa më të shpejtë të Kroacisë në Shengen, por kjo kushtëzohet me zbatimin e vendimit të arbitrazhit për kufirin.

E përditshmja kroate, Veçernjilist raporton edhe një deklaratë të ministrit të Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman, i cili thekson se hyrja e Kroacisë në Shengen nuk ka të bëjë fare me procedurën e arbitrazhit.

Qeveria e re sllovene do të fillojë mandatin e saj në një kohë rekord, më 3 qershor, vetëm 40 ditë pas zgjedhjeve parlamentare në të cilat votuesit sllovenë i dhanë besim të jashtëzakonshëm kryeministrit të ardhshëm, Robert Golob dhe partisë “Lëvizja për Liri”.

Ministrinë e Jashtme dhe Evropiane do ta udhëheq kryetarja e socialdemokratëve, Tanja Fajon, e cila do të jetë edhe një nga zëvendëskryeministret e qeverisë së re, raporton index.hr.

Sipas agjencive të lajmeve në Slloveni, Fajon u tha gazetarëve se për marrëveshjen e hyrjes së Kroacisë në Shengen, kjo e fundit duhet të rinovohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të vendosen rregulla të qarta dhe transparente sipas të cilave shtetet mund të hyn në zonën Shengen.

Ajo gjithashtu tha se ishte pro hyrjes sa më të shpejtë të Kroacisë në Shengen dhe se rregullat e përmendura përfshijnë zbatimin e një vendimi arbitrazhi që përcaktonte kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë, transmeton Telegrafi.

Pas një ndërprerjes dyvjeçare të arbitrazhit gjatë qeverisjes së kryeministrit Janez Jansha, çështja e arbitrazhit është rikthyer në rendin e ditës me qeverinë e Golobit, i cili deklaroi se arbitrazhi mbetet “një spirancë në politikën e Sllovenisë ndaj Kroacisë”, gjë që mund të dërgojë në tensione të reja në marrëdhëniet midis Zagrebit dhe Lubjanës.