Sllovakia mund t’i dërgojë aeroplanë të prodhimit sovjetik Ukrainës

Sllovakia do të konsiderojë dërgimin e aeroplanëve luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik në Ukrainë, por vetëm nëse mund të organizohet mbrojtje alternative për hapësirën e saj ajrore, ka thënë kryeministri i vendit, Eduard Heger.

Ukraina ka kërkuar armë të rënda dhe aeroplanë si pjesë e mbrojtjes së saj kundër Rusisë, raporton skynews.

Vendet perëndimore kanë filluar gjithnjë e më shumë furnizimin me armë, por diskutimet e mëparshme për sigurimin e MiG-29 – të cilët përdoren gjithashtu nga Polonia dhe Bullgaria – u ndërprenë.

Kjo për shkak se planet u perceptuan si shumë të rrezikshme në rritjen e tensioneve midis Rusisë dhe NATO-s.

Sllovakia tashmë i ka dhënë Ukrainës sistemin e mbrojtjes ajrore S-300 të projektuar nga Bashkimi Sovjetik.