Një ndër mediet më të njohura në botë, “Sky News”, më saktësisht selia e këtij televizioni në Zelandë të Re, e ka tërhequr nga transmetimi kanalin “Sky News Australia” për shkak të publikimit të pamjeve të sulmit terrorist në xhami.

Përmes një postimi në Twitter, televizioni “Sky News Zealand” ka njoftuar se e ka larguar nga platforma e vet programin australian për transmetimin e lajmeve për shkak se ata i kanë publikuar pamjet e tmerrshme të vrasjes së besimtarëve të pafajshëm.

“Ne qëndrojmë në mbështetje të miqve tanë në Zelandën e Re dhe kemi marrë vendim ta largojmë nga platforma kanalin “Sky News Australia” deri në kohën kur pamjet shqetësuese të sulmit të mos transmetohen më”, thuhet në deklaratën e këtij mediumi.

Pavarësisht kërkesës së policisë për të mos i publikuar pamjet e sulmit, televizioni “Sky News Australia” vendosi ta publikojë videon e tmerrshme, ku shihet vrasja e 49 personave në Christchurch.

Faqet e njohura të internetit, si “Facebook”, “YouTube” dhe “Twitter” e kanë larguar këtë incizim nga platformat e tyre, por ai po ngarkohet sërish.

Transmetimi i pamjeve nga kanali australian ka shkaktuar zemërim në publik. Raportohet se këto pamje janë parë edhe në ekranët e një aeroporti, por zyrtarët e tij nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë, shkruan “The Guardina”