Skuadra ruse Yenisey e quajti Gjilanin ekip serb, këta iu “hakmorën” duke i mposhtur

Skuadra e Gjilanit zhvilloi sot një ndeshje miqësore kundër skuadrës ruse, Yenisey Krasonyarsk, në kampin stërvitor në Antalia.

Por, gjatë transmetimit të ndeshjes, zyrtarë të klubit rus e kishin etiketuar në kanalin e tyre në Youtube, Gjilanin si klub nga Serbia.

Ndaj kësaj ka reaguar klubi gjilanas, duke thënë se në marrëveshjen e ndeshjes të nënshkruara nga zyrtarë nga dy skuadrat, figurojnë vendet e origjinës së skuadrave të pranuara për zhvillimin e saj, nga ku skuadra e Gjilanit mjaftë qartë figuron si ekip nga Kosova dhe ekipi rus kishte pranuar zhvillimin e takimit.

“Pas reagimit të zyrtarëve të klubit të Gjilanit, nga ku dhe u shqyrtua mundësia e ndërprerjes së takimit, zyrtarë të klubit të Yenisey e përmirësuan gabimin e bërë gjatë transmetimit, duke e ndërruar vendin e origjinës së klubit tonë dhe tani figuron ekip nga Kosova”, tha KF Gjilani në reagimin e tij.

Ndërkaq, ndonëse u përballën me presion, djemtë e Gjilanit ia dolën që të fitojnë këtë ndeshje me rezultat minimal, 1-0.

Kjo është fitorja e dytë në kuadër të fazës përgatitore që Gjilani po e zhvillon në Turqi.

Ekipi i Gjilanit fitoren e siguroi qysh në pjesën e parë të takimit, me golin e të sapotransferuarit në skuadrën kuq e bardh, Darko Nikaq, gol i cili doli të jetë edhe i fitores për skuadrën e udhëhequr nga kryetrajneri, Gentian Mezani.

Në njoftimin për media, KF Gjilani thotë se takimi i sotëm i zhvilluar në “Emirhan Football Center” në Antalia të Turqisë, dhuroi lojë të mrekullueshme nga skuadra e Gjilanit, të cilët përpos qarkullimit dhe kontrollimit të ndeshjes, patën edhe disa mundësi ideale që nga kjo ndeshje të dalin fitimtar edhe me rezultat më të thellë.