Skenderaj pas 50 vjetësh pa stacion të autobusëve

Pronarët e Stacionit të Autobusëve, i cili është privatizuar në vitin 2005, e kanë rrënuar krejtësisht atë dhe në vend të tij kanë ndërtuar objekt afarist, ndërsa Komuna e Skenderajt edhe pas gati një viti qëkur ishte paralajmëruar nuk ka mundur të sigurojë vend për autobusët.

Një ankand për ndërtimin e stacionit të ri të autobusëve ka dështuar, ndërkohë kompanitë e transportit të udhëtarëve shfrytëzojnë rrugën “Fadil Rrustemi” për qëndrim

Kompanitë e transportit të udhëtarëve, të cilët mbajnë linja të rregullta me të gjitha qendrat e Kosovës, si dhe ato lokale të Skenderajt janë detyruar që t’i parkojnë autobusët e tyre në rrugën “Fadil Rrustemi”, pasi që Stacioni i vjetër i Autobusëve është rrënuar tërësisht, ndërsa në vend të tij është ndërtuar një objekt afarist.

Në këtë mënyrë pasi 50 vjetësh Skenderajt ka mbetur pa stacion të autobusëve.

Pronarët që kanë privatizuar Stacionin e Autobusëve në Skenderaj me fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e një qendre tregtare kishin paralajmëruar Komunën e Skenderajt, si dhe pronarët e kompanive të transportit të udhëtarëve që të bëjnë zgjidhje për autobusët, për shkak se ka filluar të realizohet projekti milionësh i objektit të qendrës tregtare dhe se Stacioni i vjetër i Autobusëve do të prishet, shkruan Zeri.