Skender Reçica: Zgjedhjet e pashmangshme, NISMA e gatshme për to

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Në pa mundësi, ashtu siç duket, që ndonjë kandidat apo parti të krijojë shumicë parlamentare, presidenti në konsultim me partitë parlamentare duhet të caktoi datën e zgjedhjeve ndërsa ato duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë nga shpërbërja e legjislativit.

Përveç partive opozitare të cilat janë deklaruar të gatshme për zgjedhje nacionale edhe NISMA Socialdemokrate e cila është pjesë e Qeverisë është shprehur pro mbajtjes së tyre.

Sekretari për marrëdhënie me jashtë i NISMA’s Socialdemokrate, Skender Reçica i cili është edhe ministër në MPMS ka deklaruar për Indeksonline se subjekti i tij është i përgatitur për zgjedhje dhe brenda partisë ka disponim të mirë.

“Pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj në skenën politike është krijuar një realitet i ri. Zgjedhjet si duket janë të pashmangshme ndërsa ne si Nismë jemi të gatshme të futemi në këtë proces. Nisma Socialdemokrate do të dal më e fortë se kurdoherë, kemi shtrirë strukturat në gjithë territorin dhe po gëzojmë përkrahje të gjerë nga elektorati, lirisht mund te themi se NISMA është dyfishuar tani, ka deklaruar Reçica.

I pyetur se a janë në bisedime për ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor me ndonjë nga subjektet politike, ai është përgjigjur.

“Ne kemi mbledhur kryesinë e partisë të dielën. Aty është biseduar për situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj dhe kemi shprehur gatishmërinë tonë për të hyrë në zgjedhje. Për hapat tjerë dhe për programin qeverisës sigurisht që do të vendosim ditëve në vazhdim”, ka thënë ai.

Nisma Socialdemokrate është pjesë e qeverisë dhe përfaqësohet me zv/kryeministër dhe tri ministri.

loading…