Skender Hyseni i LDK-së: Kujdes me reciprocitetin, s’mund ta zëvendësojmë një kauzë si taksa me një kauzë tjetër

I dërguar Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ambasadori Richard Grenell ka kërkuar heqjen e taksës dhe mos vendosjen e reciprocitetin nga Kosova.

Por kryeministri Albin Kurti nuk do ta dëgjon këtë kërkesë. Ai ka deklaruar se taksa 100% do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj shtetit të Serbisë.

Por anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni, kërkon që taksa masa e paralajmëruar e reciprocitetit duhet të mendohet mirë para se të vihet.

Sipas tij nuk duhet që një kauzë siç është taksa të zëvendësohet me një kauzë tjetër.

“Reciprociteti duhet të mendohet shumë seriozisht, të kihet kujdes, sepse nuk mund ta zëvendësojmë një kauzë boshe siç është taksa me një kauzë tjetër”, ka deklaruar Hyseni për Reporteri.net.

Kurse i pyetur për qëndrimet të kundërta të LDK-së me kryeministrin Kurti, sa i përket marrëveshjeve të arritura në mynih, Hyseni ka deklaruar se “unë po e shoh veç një qëndrim të LDK-së, te kryeministri nuk kam hetuar asnjë qëndrim ende”.

Se vendosja e reciprocitetit duhet të studiohet para se të vendoset e kishte thënë edhe kryekuvendarja Vjosa Osmani më 5 shkurt pas takimit me shefen e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova.

“Sa i përket zëvendësimit të tarifës me reciprocitet është temë komplekse që kërkon studim të thellë. Nuk prekë punën e qeverisë dhe Kuvendit, por bashkëpunim me shumë akterë të tjerë, qofshin nga jeta ekonomike dhe institucione të tjerë”, kishte deklaruar Osmani.

Një ditë pas deklarimit të Osmanit, pra më 6 shkurt kishte folur edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili kishte deklaruar se reciprociteti është kompleks dhe ka pasoja shumëdimensionale, e që qeveria duhet të gjejë rrugë më të mirë me të cilën pajtohen SHBA dhe Bashkimi Evropian.

“Por duhet të them se është shumë komplekse dhe me pasoja shumëdimensionale. Besoj që Qeveria mund ta gjejë rrugën më të mirë, të bashkërendis me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçmas me SHB0A dhe BE”, kishte thënë Mustafa për mediat.

Kujtojmë se ambasadori Grenell kërkoi që Kosova të heq taksën dhe mos vendos bëj ndonjë tjetër veprim me ç’rast t’i ipet rrugë dialogut dhe arritjes së marrëveshjes me Serbisë.