Skemat pensionale të financuara nga shteti, GLPS letër publike drejtuar deputetëve të Kuvendit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar për siç thonë shkeljen e vazhdueshme që i bëhet pensionistëve, përkitazi me detyrimin për t’u lajmëruar fizikisht se janë gjallë në mënyrë që të marrin pensionin e tyre.

GLPS thekson se në këtë kontekst, Ligji nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, më specifikisht paragrafet 2, 3 dhe 4 të Nenit 24, dhe Udhëzimi Administrativ Nr.05/2015 përmbajnë shkelje së të drejtave themelore të njeriut, meqenëse kushtëzojnë ekzekutimin e pensionit me paraqitje fizike, për të dëshmuar që qytetari në fjalë është gjallë.

“Shkelja e të drejtave të njeriut përmes këtij obligimi, është argumentuar në formë të raportit nga Institucioni i Avokatit të Popullit në rastin nr. 382/2016, ku ky institucion ka argumentuar se pse kjo praktikë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Por, ndonëse ky Ligj është momentalisht duke kaluar në procedurë për amendamentim, edhe pas kaq shumë kohësh, një dispozitë e tillë vazhdon të jetë pjesë e të drejtës pozitive dhe as nuk parashihet të ndryshohet me procesin e tanishëm të amendamentimit të këtij Ligji.

Sa i përket kësaj të fundit, GLPS ngritë shqetësimin se Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti nuk ka kaluar nëpër procedurën e konsultimit publik, dhe si i tillë është i kundërligjshëm dhe i dëmshëm”, thuhet në reagim.

Poashtu edhe Udhëzimi Administrativ Nr.05/2015, ka pësuar ndryshime në vitin 2022 me Udhëzimin Administrativ MEPT Nr. 03/2022, që -së bashku me procesin e amendamentimit të Ligjit- mbështetë konstatimin se nuk duket të ketë plan për të abroguar këtë normë që shkelë të drejtat e njeriut.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka bërë thirrje që një amandamentim i tillë të konsiderohet me prioritet dhe të përfshihet gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, duke marrë parasysh natyrën urgjente që ngërthen kjo çështje, sepse këtu kanë të bëjnë me shkeljen më fundamentale të mundshme, atë së të drejtave të njeriut, dhe për më tepër, shkelje që po vazhdon për vite me radhë.