SKANDALOZE| Shpejtim Bulliqi po i mbron ndërtimet pa leje te Liqeni i Batllavës, 13 vendime të inspektoratit nuk po i zbaton

I pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, po vazhdon t’i mbyll “sytë” para ndërtimeve pa leje që po bëhen në zonën e Batllavës, përkatësisht në fshatin Orllan.

Muajin e kaluar, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e kishte shkarkuar nga puna Drejtorin e Inspektoratit të kësaj komune, Besnik Mulliqin.

Shkarkimi i tij, siç u tha, kishte të bënte me objektet pa leje të cilat ishin ndërtuar në zonën e Liqenit të Batllavës, në fshatin Orllan, që Mulliqi ishte duke marrë masa për rrënimin e tyre.

Gjatë kohës sa ishte në krye të Inspektoratit, Mulliqi kishte arritur vetëm dy vendime të inspektorëve t’i zbatonte.

Por, Demokracia.com ka siguruar dokumentet ku janë inspektuar gjithsej 15 ndërtime në atë zonë, ku 13 prej tyre akoma nuk janë zbatuar.

Sipas burimeve të Demokracia.com, sot në Kuvendin Komunal të Podujevës ka qenë e thirrur një seancë e jashtëzakonshme për këto ndërtime pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës, por kanë qenë pikërisht asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje ata që nuk kanë marrë pjesë dhe rrjedhimisht nuk ka pasur kuorum për mbajtjen e kësaj seance të jashtëzakonshme.

Demokracia.com ka mësuar se në këtë seancë ishte paraparë edhe publikimi i këtyre procesverbaleve të inspektimeve që ishin bërë gjatë kohës sa Mulliqi ishte në krye të Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Podujevës.

Menjëherë pas shkarkimit, Mulliqi e kishte akuzuar kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin, se e kishte penguar në zbatimin e ligjit në atë zonë.

“Shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e Komunës së Podujevës. Në njërën anë, unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar! Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz”, kishte shkruar Mulliqi. /Demorkacia.com/