Skandaloze: Pakistani liron të dënuarin për heqjen e kokës së gazetarit amerikan, Daniel Pearl

Gjykata Supreme e Pakistanit të enjten e urdhëroi lirimin e një personi të dënuar për heqjen e kokës së gazetarit amerikan, Daniel Pearl. Avokatët e familjarëve të viktimës thanë se familja ka mbetur në shok të plotë nga ky vendim.

Ahmed Omar Saeed Sheikh, i cili ishte i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e reporterit të gazetës “Wall Street Journal” në vitin 2002, u lirua nga dënimi nga një panel prej tre gjykatësish, shkruan Reuters.

“Me shumicë të votave prej dy me një, ata i kanë liruar nga akuzat të gjithë të akuzuarit dhe kanë urdhëruar që ata të lirohen”, tha një zyrtar provincial, Salman Talibuddin.

Gazetari që në kohën e vrasjes ishte 38 vjeç ishte duke i hulumtuar militantët islamikë në Karaçi pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, kur ishte rrëmbyer.

Rasti i tij kishte marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare pasi një video ku gazetari shihej duke iu hequr koka u publikua disa javë pas rrëmbimit.

Mushir Alam, udhëheqës i trupit gjykues, përmes një urdhri të shkurtër tha se Sheikh dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë do të lirohen menjëherë, nëse nuk kërkohen për raste të tjera.

Një gjykatë e lartë vitin e kaluar ia kishte lehtësuar dënimin të dyshuarit me shtetësi britanike nga dënim me vdekje në dënim me burgim të përjetshëm, ndërsa i liroi tre të akuzuar të tjerë, duke thënë se nuk ka prova kundër tyre.