SKANDALOZE: MPJD dhe MPB e heqin “qafesh” kryesindikalistin e anëtarëve të shërbimit të jashtëm, e çojnë në Ministrinë e Shëndetësisë

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ) ka shprehur shqetësim dhe ka reaguar pasi Agron Maloku, kryetar i kësaj Shoqate ka pranuar një vendim nga MPB përmes të cilit sistemohet në Ministrinë e Shëndetësisë, siç thuhet në kuadër të sistematizimit dhe riorganizimit të ri të MPJD-së.

Në reagimin e SHSASHJ thuhet se duke e caktuar Malokun, në një vend tjetër të punës, MPJD dhe MPB kanë bërë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe administrimin e Shoqatës Sindikale, përcjell Demokracia.com.

Më tej thuhet se Komisioni në kuadër të MPJD-së kishte vendosur Malokun në listën për transferim në një ministri tjetër, duke i dhënë përparësi për sistematizim, siç thuhet në reagim, një zyrtari të Ministrisë së Diasporës, pa gradë diplomatike dhe pa përvojën e nevojshme në shërbimin e jashtëm.

“Z. Agron Maloku, kryetar i Shoqatës Sindikale ka pranuar një vendim nga MPB ( datë 16/09/2022) përmes të cilit sistemohet në Ministrinë e Shëndetësisë, kinse në kuadër të sistematizimit dhe riorganizimit të ri të MPJD-së. Z. Maloku është diplomat i karrierës, bartës i funksionit íë drejtorit që nga themelimi i MPJ-së më 2008, dhe udhëheqës për një kohë të gjatë i Departamentit për diplomaci ekonomike në MPJ dhe ka ushtruar pozita të rëndësishme në misionet diplomatike/konsullore të Republikës së Kosovës. Duhet theksuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, Komisioni në kuadër të MPJD-së kishte vendosur z. Maloku në listën për transfer në ndonjë ministri tjetër, duke i dhënë përparësi kundrejt tij për sistematizim një zyrtari të Ministrisë së Diasporës, pa gradë diplomatike dhë pa përvojën e nevojshme në shërbimin e jashtëm. Shoqata Sindikale e konsideron një veprim të tillë të qëllimshëm me synim hakmarrjen për shkak të veprimtarisë sindikale të z. Maloku. Shoqata Sindikale që nga themelimi i saj në mars 2017 c deri në ditët e sotme ka denoncuar fenomenet e kundërligjshme në MPJD”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

Shoqata Sindikale i bënë thirrje menaxhmentit të MPJD-së dhe MPB-së që të shfuqizojnë një vendim të tillë, që sipas tyre është i kundërligjshëm dhe kanë bërë thirrje që të kthejnë kryetarin e Shoqatës në MPJD.

“LIGJI Nr.  PER ORGANIZIMIN SINDIKAL KOSOVË garanton imunitetin e përfaqësuesve sindikal dhe ndalon caktimin në një vend tjetër të punës të një përfaqësuesi sindikal gjatë kohës sa ai/ajo ushtron veprimtari sindikale si dhe ndalon çdo akt të ndërhyrjes në funksionimin dhe administrimin e organizatës sindikale( neni 24 dhe neni 25 i Ligjin në fuqi për organizimin sindikal). Duke e caktuar z. Maloku, kryetar i Shoqatës Sindikale në një vend tjetër të punës, MPJD dhe MPB kanë bërë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe administrimin e Shoqatës Sindikale. Me ketë janë shkelur të drejtat e garantuara kushtetuese, legjislacioni në fuqi mbi organizimin sindikal dhe janë bërë veprime të dënueshme sipas legjislacionit penal të Republikës së Kosovës. Shoqata Sindikale i bënë thirrje menaxhmentit të MPJD-së dhe MPB-së që të shfuqizojnë një vendim të tillë të kundërligjshëm dhe të kthejnë kryetarin e Shoqatës z. Maloku në MPJD, zyrtar i së cilës ka qenë që nga themelimi i MPJ-së”, vazhdon reagimi i Sindikatës.

Në të njëjtën kohë, Shoqata Sindikale i bënë thirrje BSPK-së që të përdorë autoritetin e saj për t’i mbajtur përgjegjëse menaxhmentin e MPJD-së dhe MPB-së për veprimet e kundërligjshme dhe njëherit i kërkojmë BSPK-së të mbrojë Shoqatën Sindikale duke bërë denoncimin për shkeljet e tilla para autoriteteve të ndjekjes dhe atyre gjyqësore.

“Po ashtu, Shoqata Sindikale i bënë thirrje Avokatit të Popullit dhe Prokurorisë së Shtetit që në mënyrë ex officio të trajtojnë me urgjencë një shkelje të tillë, e cila ka ardhur si hakmarrje për veprimet sindikale legjitime dhe ligjore në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe vënies së ligjshmërisë në MPJD. Kësaj veprimi hakmarrës ndaj z. Maloku, i ka paraprirë edhe ndërhyrja në mënyrë të kundërligjshme i zyrtarit pasues të ish MD, i cili ka iniciuar procedura për furnizime me vetura në shumën prej 150 mijë EUR, pa u përmbushur kriteret ligjore për një gjë të tillë, procedurë e cila duhet të iniciohet nga pozita e z Maloku. Kjo ndërhyrje në kompetencat e z. Maloku më pastaj është bërë pjesë e hetimeve të institucioneve të ndjekjes penale-Prokurorisë së Shtetit, dhe si rrjedhojë e kësaj, manaxhmenti i MPJD-së është vënë në mbrojtje të zyrtarit të involvuar ndërsa është duke e persekutuar dhe ndëshkuar z Maloku si mbrojtës të ligjshmërisë”, thuhet tutje në reagim.

Shoqata Sindikale ka ftuar edhe ndërkombëtarët si dhe ambasadat e shteteve të Quintit të akredituar në Kosovë që të jenë në dijeni për këto veprime të kundërligjshme.

“Ditëve në vijim, Shoqata Sindikale do të njoftojë në mënyrë të hollësishme në lidhje me këtë sulm të paprecedent kundër organizimit sindikal si dhe do të bëjë të njohura për mediet dhe opinionin publik shkeljet e tjera ligjore të kryera nga ana e menaxhmentit të MPJD-së të instaluar në mënyrë të kundërligjshme në pozitat udhëheqëse në MPJD, konkurset e paligjshme, mbi procesin arbitrar të largimit nga puna, promovimit të kundërligjshëm në grada, mbi shkeljet gjatë procesit të rotacionit/kthimit dhe të emërimit në misione diplomatike/konsullore, i cili po zhvillohet në mënyrë selektive dhe diskriminuese duke përdorur standarde të dyfishta etj.”

“Shoqata Sindikale do të përdorë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, duke përfshirë edhe protestën për të adresuar veprimin e kundërligjor ndaj veprimtarisë sindikale, dhe shkeljeve tjera ligjore nga menaxhmenti i vendosur kundërligjshëm MPJ, veprime këto që janë duke i dhënë goditje fatale shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi./Demokracia.com/