Skandaloze/ Kishin kontakt me persona me COVID19, stafi i QKMF-së në Prishtinë nuk e ndal punën

Distanca fizike, përdorimi i maskave, larja e duarve, mos-frekuentimi i vendeve të mbyllura, shmangja e kontakteve të panevojshme, vetizolimi, janë vetëm disa nga rekomandimet që dëgjojmë muajve të fundit nga institucionet shëndetësore në Kosovë.

Krejt kjo, për t’iu shmangur rrezikut nga infektimi ose të infektimit të personave të tjerë me virusin Covid-19.

Por, në Kosovë, pavarësisht se luftën po e bëjnë mjekët dhe infermierët ndaj kësaj pandemie, kujdesi për ta po del të mos jetë i mirë nga insitucionet relevante.

Kjo pasi, Syri.net Kosova, merr vesh se gjatë javës së kaluar, në Qendrën Kryesore të Mjeksisë Familjare në Prishtinë, një anëtare e stafit ka rezultuar pozitiv me virusin korona.

Me këtë rast, pas gjurmimit të kontakteve, del që testin për Covid-19 janë detyruar ta bëjnë e gjithë stafi.

Fatmirësisht, pas testimit ditën e premtë (26 qershor 2020) të njëjtit sipas burimeve kanë rezultuar negativ.

Por, çudia ndodh vetëm tek ne, kjo pasi rastet e kontaktit të cilat fatmirësisht ishin negativ me koronavirus, pavarësisht rezultatit kanë vazhduar të dalin në punë edhe pse janë të obliguar të qëndrojnë në vetëizolim për 7 ditë. Kjo pasi, ekziston mundësia që periudha e inkubacionit të virusit të marrë më shumë kohë, duke rrezikuar kështu që gjatë punës me pacientë të arrijë të i infektojë këta të fundit.

Duke shpresuar që dëmi veçse nuk është shkaktuar, Syri.net Kosova ka marrë vesh që kjo pjesë e stafit, pas 3 ditësh pune si raste kontakti me Covid-19, nga dita e martë 30 qershor 2020, janë futur në vetizolim.

Portali ka provuar të marrë informacione se si ka ndodhur ky lëshim nga institucionet shëndetësore, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.