Skandaloze: Huqja e Agim Veliut, citon gabim nenin kur anulon vendimin e Arban Abrashit

Javën e kaluar, Ministria e Infrastrukturës u bë temë debati për shkak të shkarkimeve e rikthimit në punë të Sekretarit të Përgjithshëm. Vetëm brenda dy ditësh, u ndryshua disa herë sekretari i këtij dikasteri. Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, me 3 mars të këtij viti liroi nga detyra Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Izedin Bytyqi dhe në vend të tij emëroi Zymer Avdullahun. Por, këtë vendim të Abrashit e anuloi Agim Veliu, Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Kryesues i Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë duke e konsideruar si akt adminisrativ të paligjshëm.

E këtë vendim të Veliut, me të cilin anulohet vendimi i Abrashit, është bërë një gabim ligjor. Veliu ia ka huqur nenit me të cilin e arsyeton vendimin që kthen në punë Izedin Bytyqin, i cili u shkarkua të premten e kaluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm.

Si kryesues i Këshillit, ai ka cituar nenin 62 të Ligjit për Zyrtarët Publik, i cili flet për dorëheqjen e shërbyesve civil. Në nenin që Veliu ka cituar thuhet se nëpunësi civil lirohet nga Shërbimi Civil edhe kur jep dorëheqje nga detyra. Ndërkaq, Veliu është dashur që të thirret në nenin 61 të të njëjtit ligj, i cili përcakton lirimin nga Shërbimi Civil, në bazë të së cilit Abrashi kishte larguar nga pozita Bytyqin.

Kujtojmë që me vendimin e të premtes në vend të Bytyqit si sSekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës është emëruar Zymer Avdullahu.

Por, sot në vend të Zymer Avdullahu është kthyer përsëri Izedin Bytyqi si Sekretar i Përgjithshem i Ministrisë së Infrastrukturës.