SKANDALOZE| Albin Kurti favorizon serbët për regjistrimin e automjeteve, ua heq doganën deri në 5 mijë € për një veturë

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që nuk i kanë të regjistruara veturat e tyre me targat RKS, sa më shpejt ta bëjnë atë.

Kurti ka thënë se veturat që do të regjistrohen nuk do të kenë nevojë të hyjnë nëpër procedura të doganës dhe nuk do të kërkohet kontrollimi teknik gjatë regjistrimit të pare, duke rrezikuar kështu jetën e qytetarëve në komunikacion, shkruan Demokracia.com.

Ai ka njoftuar vetë për këtë përmes një video-adresimi në gjuhën serbe.

Përmes një njoftimi, Zyra e Kryeministrit kishte bërë të ditur se të gjitha veturat që janë të pajisura me targa nga autoritetet serbe, nga 10 qershori 1999 deri më 21 prill 2022, do t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS.

Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë më 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022.

Mirëpo, ky vendim bie në kundërshtim edhe legjislacionin në fuqi, pasi që aktualisht në Kosovë nuk lejohet që të regjistrohen veturat më të vjetra se 10 vjet, raporton Demokracia.com.

Qeveria e Kosovës kishte zhvilluar mbledhje elektronike në javën e kaluar, ku kishte miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022.

Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.