Kosovarja 23-vjeçare, Laureta Zyba, nga Suhareka e cila në mbrëmjen e sotme është bërë pjese e programit Perputhen, në vitin 2018 ishte arrestuar se bashku me një shtetas serb dhe dy shtetas malazezë.

Policia e Kosovës pati arrestuar një grup personash  gjatë vitit 2018 që më vonë do të akuzoheshin e edhe dënoheshin për krime krejt të vogla, por që lidhjet e tyre janë të mëdha me botën e krimit. Të politikës e të klubeve të natës. Me zyrtarë të Qeverisë e me avokatë. Me pronarë hotelesh e falsifikator dokumentesh. Më së shumti me mafian ballkanike.

Ajo ishte arrestuar për veprën penale, “bashkëkryrje në veprim”. Para Gjykatës ajo ishte shprehur se ndjehet fajtore që nuk i kishte lajmëruar këta persona tek autoritetet vendore me kohë dhe që ka bashkëpunuar me këta njerëz, shkruan Gazeta Insajderi.

Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Laureta Zyba kishte mbajtur një muaj paraburgim.

Të pandehurit të tjerë ishin Mario Millosheviq, Strahinja Dankoviq, dhe Gjorgje Paviçeviq.

Konkurrentja e tanishme e Perputhen gjatë dëshmisë kishte thënë veç se ishte e dashura e Mario Millosheviçit, dhe se “Mario është njeriu më i mirë që ajo e ka takuar deri tash”. Implikimi i saj i mëtutjeshëm nga prokuroria ishte i zorshëm, edhe pse ajo për shumë muaj ishte shoqëruar me Milloshevçin, kjo pasi që komunikimi mes tyre, sipas rrëfimit të saj, ishte kryesisht përmes aplikacionit “snapchat”/ Insajderi.

InDoks në dokumentarin “Millosheviqi në Kosovë ka zbuluar të gjeturat e një hulumtimi të gjatë mbi Mario Millosheviqin, i kërkuar në Mal të Zi për krime shumë të rënda, e i dyshuar si anëtarë i njërës nga dy bandat më të mëdha që operojnë në biznesin e drogës në Kotor. Edhe për njerëzit që e rrethojnë. Edhe për ata që e ndihmuan në një arratisje të dështuar nga burgu i Sigurisë së Lartë në Kosovë.

Mario Millosheviq jetoi për një kohë në Kosovë. Si qytetarë i ligjshëm. Me dokumente të rregullta të Republikës së Kosovës, edhe pse me identitet të falsifikuar. Është një histori e errët që më shumë se gjithçka e ekspozon shtetin e Kosovës që dështoi ta ndalonte një të kërkuar nga Interpoli që të fillonte jetë normale në Kosovë.