Skandalet s’ndalen në dikasterin që Kurti e la pa ministër

Gjërat kanë dalë jashtë kontrollit nëpër institucionet shëndetësore. Vetëm në dy muajt e fundit, kanë ndodhur tri raste, që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë në këto hapësira. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe hallkat tjera menaxheriale vazhdojnë të jenë me ushtrues detyre.

Një rast skandaloz ka ndodhur para një jave në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Një foshnje e vdekur dyshohet se është futur bashkë me çarçafë në lavatriçe. Sipas rrëfimit të babait të foshnjës, prej aty ishte nxjerrë copë-copë.

Ky rast ka ndodhur më 13 dhjetor dhe është mbajtur i fshehur deri të mërkurën mbrëma, kur raportuan mediat.

Pas këtyre raportimeve, Spitali ka dalë me një deklaratë, ku ka njoftuar se ka suspenduar shtatë punonjës, “që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast”.

“Duhet theksuar se hetimet nuk janë duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e Fetuesit të vdekur tek familjarët. Spitalit të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhet në postimin e Spitalit.

Në fund, Spitali ka thënë se rasti është ende në hetim dhe sapo që organet e hetuesisë dhe Inspektoratit shëndetësor të dalin me konstatime e veprime përfundimtare, opinioni do të njoftohet me detaje të ngjarjes dhe me masa adekuate të parapara me ligj.

Për rastin ka reaguar tek dje Ministria e Shëndetësisë, e cila përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ka bërë me dije se ka liruar nga detyra detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.

Sipas MSH’së, “në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit”.

“Sot pas shqyrtimit të të gjitha të dhënave dhe detajeve të rastit të rëndë të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, z. Shaban Osmanaj. Në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit. Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Përveç krerëve të partive opozitare, për rastin ende s’ka pasur ndonjë reagim nga krerët e shtetit.

Vrasja para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK

Një rast që ka vënë në pikëpyetje sigurinë në institucionet shëndetësore, është vrasja para Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Hamide Magashi, një grua shtatzënë e moshës 35-vjeçare është vrarë më 30 nëntor, në oborrin e QKUK’së. Vrasja ishte kryer nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, i cili tri ditë më pas kishte bërë vetëvrasje.

Viktima dhe i dyshuari ishin në prag të divorcit, shkaku i dhunës së vazhdueshme psiqike e fizike. Shkaku i dhunës që i dyshuari ushtronte ndaj saj, ajo ishte kishte paraqitur kërkesë për urdhër mbrojtje në Gjykatën Themelore të Ferizajt, bazuar në Ligjin për Mbrojtje nga dhuna në familje.

Gjykata ia kishte miratuar kërkesën dhe kishte lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve. Sipas kësaj gjykate, ky urdhër ishte lëshuar më 13 shtator dhe vlente deri më 13 mars të vitit 2023.

Por, pavarësisht këtij urdhri, Halili i ishte afruar viktimës kur ajo kishte dalë për të blerë diçka dhe e ka vrarë.

Gazeta Express kishte dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për të marrë informacione se kush është përgjegjës për sigurinë në këtë institucion, nëse ka prezencë policore apo si veprohet nëse ndonjë pacientë ka urdhër mbrojtës, por s’kishte marrë përgjigje.

Djegia e veturës së Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në SHSKUK

Në oborrin e QKUK’së, kanë ndodhur edhe dy raste tjera. Në mes të ditës, aty i ishte vënë flaka veturës së Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija. Kjo ishte hera e dytë që vetura e Vitijës ishte djegur.

Policia u tregua e përmbajtur kur raportoi për rastin duke dhënë vetëm informacione bazike për atë që ndodhi.

“Dy ankuesit meshkuj kosovar kanë njoftuar se iu janë djegur veturat të cilat kanë qenë të parkuara në parkim. Njëri nga viktimat ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në tretman mjekësor. Në vend ngjarje kanë dalë njësitet përkatëse” tha policia.

Me këtë rast ishte marrë personalisht Kryeministri Albi Kurti duke i çuar tutje hetimet.  Ai madje kishte dhënë edhe detaje se për çka ka mundur t’i digjet vetura zyrtarit të QKUK’së, duke i gjetur madje edhe fajtorët.

“Një herë me 19 gusht dhe pastaj sërish me 7 tetor iu dogj vetura Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija”, kishte shkruar Kurti.

Sipas tij, djegia e veturës ndodhi pasi Vitia ka bërë një raport në të cilin janë gjetur shkelje.

Në një konferencë për media në hapësira e QKUK, Kurti shkoi edhe më tej duke treguar se pse vetura e Vitisë e parkuar në oborr mund të ketë qenë cak i sulmuesve. Qëllimshëm bëri me dije se Vitia punon në QKUK nga viti 2007, kur VV dhe Kurti s’kishin të bënin me pushtetin.

“Raportet e sakta të auditimit ku ka gjetur shkelje duket që i ka shqetësuar të korruptuarit të cilët janë fortë të brengosur se si do të vijohet më tej me procedimin e këtyre shkeljeve. Drejtori i njësisë së auditimit në SSKUK, zotëri Musa Vitija është në këtë funskion që nga viti 2007, pra plotë 15 vjet, ky e njeh mirë sistemin dhe nuk bëhet fjalë për gabime, por bëhet fjalë për shkelje të cilat janë të evidentuara dhe tash ne i ftojmë organet përgjegjëse të Republikës sonë që t’i vazhdojnë hulumtimet e hetimet për ti  ndjeku e dënuar përfundsimisht keqbërësit” tha Kurti.

“Me këtë rast unë si kryeministër dhe Qeveria e Republikës  së Kosovës shprehim mbëhstetje të plotë për drejtoin e e auditimit këtu në SHSKUK zotëri Musa Vitinë dhe gjithashtu zotohemi që mundemi e dimë në mënyrë që raste të tilla jo vetëm të mos përsëritën por që ata kriminle që e dogjën veturën në oborr të spitalit të shkojnë në burg”, kishte deklaruar Kurti.

Krejt hallkat menaxheriale në shëndetësi në duart e ushtruesve të detyrës

Kosova është pa Ministër të Shëndetësisë që nga 6 tetori, kur dha dorëheqje ish-Ministri Rifat Latifi. Kjo pozitë po ushtrohet nga Dafina Gexha-Bunjaku.

Gazeta Express ka dërguar pyetje disa herë në Zyrën e Kryeministrit për të marrë informacione se kur do të emërohet Ministri i ri, por asnjëherë s’ka marrë përgjigje.

Përveç MSH’së, me ushtrues detyre është edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Madje nuk dihet se kur bordi do ta shpallë konkursin për këtë pozitë zyrtare.

 Në kohën kur Valbon Krasniqi ishte zgjedhur drejtor me mandat trevjeçar, procedurat e rekrutimit kishin zgjatur tre muaj.

Edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Inspektorati, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Mjekësore në udhëheqje kanë ushtrues detyre.