SKANDAL: Qeveria Kurti i dha tender kompanisë së Veselinoviqit e Radojiçiqit, serbëve që SHBA sot i futi në listë të zezë si super-kriminelë

Sot, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar rrjetet e korrupsionit disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë njofton kjo zyrë përmes një komunikate për media.

Në komunikatë ndër të tjera thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontrollë të disa bisneseve në disa rajone.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë: Rosiq, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Miljan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisha Nedeljkoviq, Radule Steviq.

Edhe Milan Radojiçiq, nënkryetar i subjektit politik Lista Serbe dhe bashkëpunëtor i Veselinoviqit, është pjesë e sanksioneve që ShBA-ja përkatësisht Departamenti i Thesarit sot vendosi ndaj grupit të krimit të organizuar që operon në veri të Kosovës.

“Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh shkojnë paralelisht me efektet masivisht destabilizuese mbi sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike,” tha Drejtori i Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja Andrea M. Gacki.

Në mesin dhjetra kompanive që kontrollohen nga Veselinoviqi në Kosovë dhe në Serbi, janë edhe dy kompani të regjistruara në Kosovë: “Radule Stevic B.I., P.T.P. Rad” dhe “Rad D.O.O”.

Zvonko Veselinoviq

E këto kompani kanë përfituar tenderë nga Qeveria e Republikës së Kosovës në periudha të ndryshme. Tenderi më i freskët që i është dhënë kompanisë së Veselinoviqit është ai i datës 13 korrik të këtij viti nga Qeveria e Albin Kurtit dhe ministria që e udhëheqë Liburn Aliu, ajo e Infrastrukturës, shkruan Ballkani.info.

Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu ka dhënë një tender prej gati 600 mijë euro grupit të operatorëve ekonomik B CORP SH.P.K. ; Europa Partners SH.P.K. ; RAD D.O.O.

Të kujtojmë se shef i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës është Nexhat Krasniqi, i cili në publik njihet edhe si “baba i tenderëve”. I njëjti ishte akuzuar nga vetë Vetëvendosje për korrupsion, bile këtë e kishin bërë në disa raste edhe në Kuvendin e Kosovës.

Kjo e fundit, RAD D.O.O tashmë del të jetë edhe zyrtarisht kompani e Zvnonko Veselinoviqit dhe Milan Radojiçiqit, dy të dyshuarit kryesor për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq në janar të vitit 2018.

Në fakt, kompania RAD në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit figuron si pronë e Radule Steviqit, po ashtu i përmendur nga Departamenti i Thesarit Amerikan dhe i futur në listën e zëzë.

Emri i Steviqit në ARBK ishte vetëm formalitet, pasi që mbrapa tij ishin Veselinoviq dhe Radojiçiq.

Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq

Kompani RAD në korrik të këtij viti mori tender për Mirëmbajtjen Verore dhe Dimërore 2021-2022 të Rrugëve Nacionale dhe Rajonale nga Ministria e Infrastrukturës.

Ky konzorcium, në fakt fitoi Lotin 2, në tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale për qytetin e Mitrovicës.

Këto dy kompani të regjistruara në Zveçan zakonisht kanë marrë miliona euro nga buxheti i shtetit përmes tenderëve publik.

“P.T.P RAD” dhe “RAD D.O.O” që kanë të njëjtin pronar, në tri vitet e fundit kanë marrë thuajse të gjithë tenderët për kryerjen e punimeve në komunat e Kosovës me shumicë serbe.

Radule Steviq është personi që figuron si pronari i këtyre dy bizneseve, sipas të dhënave zyrtare të prezantuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

“PTP RAD” është e regjistruar në vitin 2013, kurse “RAD D.O.O” në vitin 2018. Këta dy operatorë kanë deklaruar se kryejnë 32 veprimtari ekonomike.

Nga ndërtimi i objekteve banesore, rritja e derrave, kultivimi i hardhive e deri tek ueb portalet, janë punët që bëjnë këto biznese.

Por ndonëse numri i punëve që bëjnë është mjaftë i madh, këto dy biznese figurojnë vetëm më nga një të punësuar.

Kush janë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq?

Milan Radojiçiq është i afërt i Zvonko Veselinoviq, të njohur si ‘babai i urës së Ibrit’.

Për Veselinoviçin është raportuar shumë, madje është thënë se ndikimi i tij politik në veri por edhe në Serbi është aq i madh, sa ai kishte vendosur për heqjen ose jo të barrikadës mbi urën e Ibrit.

Me ikjen dhe angazhimin e tij në Beograd, Zvonko i la pushtetin në veri Milan Radojiçiqit, që nga disa serbë po quhet si ‘Zoti i veriut’, krejt kjo pasi në tri komunat me shumicë serbe në veri nuk mund të merret asnjë vendim pa e mbështetur Radojiçiq.

Për Radojiçiqin u tha shumë, por vlen të sqarohet se pushteti i tij shtrihet në veri me kontrollin që ushtron ai si nënkryetar i Listës Serbe. Milan Radojiçiq dhe disa të afërm të tij, janë parë në fushatën e LS në Leposaviq, e për të cilin takim.

Radojiçiq nisi operacionet e tij që në zgjedhjet për president të Serbisë, ku grupi i tij bleu votat e romëve të Mitrovicës për Aleksandër Vuçiqin. Më pas, ai merrte pjesë në çdo aktivitet të Listës Serbe.

Rrahjen e disa policëve kosovarë në veri që kishin shkuar për të sekuestruar disa materiale që po regjistronin popullsinë serbe, u mor vesh i pari nga Radojiçiq. Kjo pasi, siç raportoi, kishte qenë vetë ai që kishte organizuar sulmin ndaj tyre.

Raportimet për djegien e shumë veturave në veri, përfshi këtu edhe veturën e tashmë të ndjerit Oliver Ivanoviq, dyshohet se e bënte vetëm një grup. Ishte ai i Milanit, i cili me këto akte synonte të frikësonte çdokënd që nuk i përshtatej atij, shkruan Gazeta Infokus.

Frika që mbillte Radojiçiq nuk lidhej vetëm me djegie veturash. Ai dyshohet se hidhte edhe granata nëse ishte e nevojshme. Emri i Radojiçiq lidhet edhe me sulmin me granata ndaj shtëpive të dy serbëve vetëm e vetëm pse ishin bërë pjesë e FSK-së.

Radojiçiq ishte përfshirë edhe në një sulm ndaj ish-koordinatorit serb për dialog, Borko Stefanoviq, në një kafene në veri, e ku kishte marrë pjesë edhe Edita Tahiri. Në këtë rast nuk kishin ndërhyrë Policia e Kosovës, ani pse ishin vënë në rrezik jetët e disa personave. Mos ndërhyrja e Policisë, ishte bërë pikërisht për shkak të kontrollit që ka Milani mbi ta.

Ndërkaq, pushtetin e Radojiçiqit e konfirmoi edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, i cili u takua me të. Për këtë, Haradinaj ishte arsyetuar se ai takohet me përfaqësues që i zgjedhin vetë serbët, dhe nuk mund t’i zgjedhë ai.

Sidoqoftë, Radojiçiqin po e kërkojnë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, pasi në një përgjim të disa politikanëve serbë ai përmendet si urdhërdhënës, ndërkaq shteti serb si organizator. /Ballkani.info/